Zgjedhjet lokale

LDK: Mobilizohen për fitore edhe degët në Klinë e Malishevë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në kuadër të fushatës parazgjedhore të 22 tetorit, është ndalur të shtunën në Klinë dhe Malishevë, ku strukturave lokale të LDK-së u ka kërkuar intensifikim të fushatës për të siguruar mbështetje sa më të madhe qytetare për fitoren e kandidatëve të kësaj partie për kryetar komunash dhe për Asambletë Komunale.

Duke folur përpara strukturave të LDK-së në Klinë, kryetari Mustafa ka kërkuar që platforma e zhvillimit ekonomik lokal t’u shpjegohet të gjithë qytetarëve të Klinës, ndërsa është shprehur i entuziazmuar me mënyrën e organizimit dhe mobilizimit të degës së LDK-së në këtë komunë.

“I kemi edhe dy javë fushatë. Ju ftoj të punojmë shumë dhe me të gjithë. Unë llogaris se vullneti i sovranit do të jetë për LDK-në, sepse tjerët kanë dështuar në qeverisje. LDK e rikthen qeverisjen e mirë në Klinë dhe nëpër komunat tjera dhe shumë shpejt edhe në nivel vendi”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se kandidati i LDK-së për kryetar të Klinës, Besim Hoti, i mbështetur edhe nga aktivistët dhe vullnetarët e LDK-së është duke bërë artikulim të shkëlqyeshëm të platformës qeverisëse të LDK-së dhe ashtu sikurse edhe kandidatët tjerë të LDK-së nëpër Komunat tjera, ai po demonstron vullnet dhe përgjegjësi për të punuar për qytetarët.

Mustafa ka kërkuar mobilizim për fitoren e Besim Hotit dhe sa më shumë ulëseve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Klinës.

Kryetari i degës së LDK-së në Klinë, Fadil Gashi, ka thënë se dega që ai udhëheqë ka hyrë në këtë proces zgjedhor më e përgatitur se asnjëherë tjetër. “Strukturat janë organizuar mirë dhe po punojnë si ekipë për të siguruar fitoren e LDK-së në Klinë. Bashkërendimi po shkon mirë dhe tubimet po zhvillohen normalisht. 26 nëndegët janë funksionale dhe duke punuar me qytetarët. Deri më 22 tetor do të punojmë për ta fituar komunën e Klinës dhe kandidatët tanë në Kuvend Komunal do të shtohen”, ka thënë Gashi, sipas të cilit, bazuar në mbështetjen qytetare, Besim Hoti do të jetë kryetari i ardhshëm i komunës së Klinës.

Kandidati për kryetar të Klinës, Besim Hoti, ndërkaq ka falënderuar për mbështetjen dhe ka shprehur kënaqësinë për entuziazmin për fitoren e LDK-së në Klinë. “Në dhjetë vitet e kaluara Klina është qeverisur keq dhe pasojat e kësaj keqqeverisjeje do të ndjehen edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë Hoti, sipas të cilit, vetëm programi i LDK-së dhe ekipi qeverisës që ai do ta drejtojë do të mund t’u bëjë ballë sfidave të kësaj komune.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i shoqëruar edhe anëtarë tjerë të kryesisë qendrore, ka zhvilluar takim edhe me strukturat e degës së LDK-së në Malishevë. Ai i ka inkurajuar ata të intensifikojnë fushatën për të siguruar mbështetje sa më të madhe për kandidatin e LDK-së për kryetar të komunës së Malishevës, Sami Kafexhollin si dhe për kandidatët e kësaj partie për këshilltarë të Kuvendit Komunal.

Strukturat lokale të LDK-së në Malishevë kanë theksuar se po punohet në çdo lagje të Malishevës dhe në secilin fshat të kësaj komune, duke takuar secilin qytetar, të cilëve po u shpjegohet platforma qeverisëse e LDK-së për komunën e Malishevës në mandatin e ardhshëm.

Sipas tyre, qytetarët e Malishevës janë duke mirëpritur kandidatin e LDK-së për kryetar të Malishevës dhe kandidatët për Asamble Komunale nga LDK-ja.

Kryetari Mustafa ka theksuar se në Malishevë duhet të kthehet qeverisja e LDK-së, sepse qytetarët e kësaj komune janë lodhur duke provuar qeverisje të paafta dhe pa vizion.