Zgjedhjet lokale

Haradinaj në Vushtrri: Pa viza nuk mbesim, kemi me marrë liberalizimin

Qytetarët e Kosovës nuk do të mbesin pa liberalizim të vizave, pasi janë duke u plotësuar nga Qeveria e Kosovës standardet e kërkuara edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Kështu u shpreh kryeministri Ramush Haradinaj gjatë hapjes së fushatës elektorale në Vushtrri, i cili tha se Kosova nuk do të hyjë në luftë me askënd për projekt marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Haradinaj tha se dikush po pretendon se kjo qeveri do ta lë Kosovën pa liberalizim, por kjo sipas tij, nuk qëndron.

“Sa i përket demarkacionit është situatë e thjeshtë, dikush po mundohet me thënë se po donë me na lënë pa viza, disa të tjerë po mundohen me thënë se do me na lënë pa tokë. Andaj, nuk është ashtu, pa viza nuk mbesim, kemi me marrë liberalizimin, sepse po e avancojmë MSA-në. Edhe për demarkacion janë procedurat e ditura, ne nuk jemi kah hymë në luftë me askënd për demarkacion. Është bërë gabim, është ndërruar një komision, asgjë e keqe nuk ka ndodhur dhe nuk jemi prishë me miqtë”, tha Haradinaj, transmeton ksp.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot pasdite mbajti fushatë zgjedhore në Vushtrri ku shpalosi programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe prezantoi kandidatin për kryetar të komunës, Lutfi Bilalli.

Haradinaj tha se është një moment i mirë që të flasë për projektet që do të kryhen në Vushtrri dhe të cilave do t’ju prijë Lutfi Bilalli.

Ai premtoi se do të zgjidhë problemet e pacientëve kosovarë dhe minatorëve, si dhe çështja e 477 punonjësve në fabrikën e Llamkosit.

“Ende sot e kësaj dite vuajmë ose për ujë të pijes ose për kanalizim, edhe mungojnë trotuare, ndriçim publik që janë gjëra elementare. Atëherë qeverisja që po vepron ka me i zgjedh këto tema dhe nuk kemi me i pasur më në diskutim sa herë që vijnë zgjedhjet. Nuk ka me ndodh në Kosovë që me shkuar fëmija në shkollë fillore me dy ndërrime, ndodh që në disa vende ka deri në tri ndërrime dhe ndodhë që janë 40 nxënës në klasë. Edhe arsimi i lartë me shkuar ndaras nga jeta, ne duhet me afruar arsimin te kërkesat e ekonomisë, te kërkesa e tregut. Tek ajo që e ndihmon njeriun tonë me gjetur një vend pune ose me krijuar një vend pune. Ajo që i ndihmon njeriut tonë në Vushtrri se nëse ka një investim të madh, duhet t’i themi atij investitori se kemi njerëz të gatshme për punë, të aftë, të zot”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu premtoi se do të dyfishojë buxhetin për bujqësi, pasi siç tha ai, “vetë jam ministër i Bujqësisë, meqë jam kryeministër”.

Kandidati për kryetar Lutfi Bilalli ka shpalosur disa pika, të cilat janë me interes për qytetarin dhe jetën e njerëzve në Vushtrri. Sipas tij, zhvillimi ekonomik ngërthehet në ngritjen e kapaciteteve komunale për avancimin dhe përkrahjen e zhvillimit ekonomik lokal.

Në veçanti ai tha se ngritja e kapaciteteve, përpilimi dhe implementimi i projekteve do të bëhet përmes partneritetit publiko-privat. Bilalli tha se do të ndajë subvencione për ndërmarrje të vogla në vlerë prej 3 deri 7 mijë euro.

“Krijimi i një zyre për promovimin e investimeve për investitorë vendorë dhe të huaj, po ashtu pronat komunale do të jenë në shërbim të këtyre investimeve dhe investitorëve serioz. Realizimin e një strategjie të turizmit në komunën e Vushtrrisë. Kemi dy pjesë kodrinore-malore me një rrafsh që e ka Vushtrria që janë rrethi i Artakolit ose rreze malet e Çiçavicës dhe pjesa e Shalës. Kështu është një vend jashtëzakonisht i veçantë për një zhvillim me impuls të turizmit. Do të ketë lehtësira në taksa dhe obligime tjera komunale për të gjitha ndërmarrjet që ofrojnë mundësi për investime në veprimtari prodhuese”, tha Bilalli.

Ai po ashtu ka folur për depolitizimin dhe rritjen e cilësisë në arsim, stimulimin e arsimit profesional dhe ka premtuar infrastrukturë rrugore, shëndetësi të mirëfilltë dhe zhvillim të bujqësisë e blegtorisë.