Zgjedhjet lokale

Në Shalë të Bajgorës filloi ndërtimi i rrugës që lidhin Mitrovicën me Leposaviqin

Udhëheqja komunale ka vazhduar inspektimin e punimeve në zhvillim e sipër për realizimin e projekteve për rregullimin e rrugëve në komunën e Mitrovicës.

Kështu, të enjten, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, Besnik Beka, Musa Dragaj e Nysret Maxhera, ka inspektuar punimet për rregullimin e rrugës që lidh fshatrat Melenicë, Maxherë, Dedi e Batahir të Komunës së Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit Bistricë, Koshtovë e Vllahisë dhe Cerajë.

Rregullimi i kësaj rruge, përveç që ju mundëson banorëve të këtyre fshatrave lëvizje më të mirë dhe krijon kushte për kthimin e atyre që më parë janë zhvendosur, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe strategjike, pasi që ju mundëson tri fshatrave shqiptare të Komunës së Leposaviqit lidhjen me Komunën e Mitrovicës, në rastet kur magjistralja e Ibrit po bllokohet nga ekstremistët serbë.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri tha se duke pas parasysh këto që u thanë më lartë dhe faktin se në nga këto fshatra në të kaluarën kanë dhënë personalitete të shquara që kanë luftuar për interesat e popullit shqiptar dhe për çlirimin nga okupatori, është vendosur që të rregullohet rruga, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Mitrovicës.

“Rruga ka një gjatësi prej rreth 14 kilometra dhe nevojiten mjete të shumta. Mirëpo, ne kemi siguruar nga buxheti komunal aq mjete sa mjaftojnë vetëm për të hapur rrugën dhe një shtresë zhavorri. Në të ardhmen do të bëhen përpjekje për sigurimin e mjeteve për asfaltimin e plotë të rrugës”, tha ai.

Bejtush Jetullahu-Dedia duke folur në emër të banorëve tha se “me ndërtimin e rrugës po krijohen kushte për të qëndruar në trojet e tyre ata që ende jetojnë këndejpari, si dhe për kthimin e të tjerëve që janë zhvendosur”.

“Këtu në Dedi disa bashkëfshatarë dhe unë kemi themeluar veprimtaritë tona dhe po merremi me bletë, pemë të ndryshme dhe të tjera”, tha ai.