Zgjedhjet lokale

Kandidati i pavarur për Malishevën thotë se kjo komunë nuk u udhëhoq nga kryetari Begaj

Nexhat Krasniqi, kandidat i pavarur për kryetar të Malishevës, ka thënë se kjo komunë deri tani është udhëhequr nga grupe të ngushta interesi.

Sipas Krasniqit, i cili ka qenë anëtar i Nismës, kjo komunë dhe partia e Fatmir Limajt kanë neglizhuar fshatin Drenoc pavarësisht se kishin premtuar poste të larta në institucione për individë të këtij fshati.

“Ragip Begaj nuk udhëheq me Malishevën. Ka raste kur ai u ka thënë njerëzve se ju e meritoni të jeni në punë, por nuk kam fuqi të ju punësoj. Janë grupet të ngushta interesi që udhëheqin”, ka thënë Krasniqi në Interaktiv të KTV-së.

Krasniqi ka thënë se kishte kushtëzuar Nismën që të mandatonte dikë nga fshati Drenoc, pasi ky fshat gjithmonë ia ka dhënë 1500 vota Nismës për Kosovën. Sipas tij, Drenoci ka dhuruar gjithmonë intelektualë dhe Malisheva është duke e ngulfatur këtë fshat.