Zgjedhjet lokale

Abrashi, për kategoritë e luftës: Banesa, buxhet të veçantë dhe lirim nga tatimi në pronë

Gjatë një vizite që i ka bërë Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Dega në Prishtinë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të mërkurën se për kategoritë e dala nga lufta do të ndërtohen banesa, do të ketë buxhet të veçantë për nevojat e tyre dhe do të ketë lirim nga tatimi në pronë për këto kategori, ashtu siç e parasheh ligji.

“Qasja jonë për kategoritë e dala nga lufta do të jetë bashkëpunuese nga dita e parë, dhe jo vetëm nëpër fushata, siç po synohet tani. Për banesat e përfunduara para katër vitesh nuk është formuar Komisioni për ndarjen e tyre. Tani në kohë fushate po insistohet që të bëhet një gjë e tillë. Për neve kjo është tërësisht e papranueshme. Familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët nuk e meritojnë një trajtim të tillë, që për hir të fushatës të ndahen banesat me vonesë prej katër vitesh”, tha Abrashi.

Sipas tij, çdo kërkesë e shoqatave të dala nga lufta do të hasë në mirëkuptim në zyrën tonë dhe në buxhetin tonë, duke filluar nga ndërtimi i banesave për rastet sociale, aktivitetet tjera shtesë rehabilituese, lirimet tjera, siç është rasti i tatimit në pronë.

Abrashi pohoi se kategoritë e dala nga lufta janë anashkaluar nga komuna në katër vitet e shkuara, por kjo do të përfundojë më 22 tetor me fitoren tonë në zgjedhje.

Sylë Vitija, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Dega në Prishtinë, ka thënë se “kërkesat tona deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër”.

Ai e ka falënderuar Abrashin për vizitën dhe ka i ka shpalosur nevojat shoqatës, “të cilat gjithmonë janë të bazuara në ligj”.