Zgjedhjet lokale

Bashota premton ndërtimin e Stacionit të Autobusëve dhe asfaltimin e rrugës Sferkë-Perqevë të Klinës

“Fryma e fitores së PDK-së në zgjedhjet e 22 tetorit po shpërndahet kudo nëpër Komunën e Klinës, në qytet e në fshatra. Vullnetin për të mbështetur ‘Forcën për Ndryshim’, na e treguan dhe dëshmuan edhe banorët e aktivit 1 të nëndegës së Klinës - Qendër dhe ata të Sferkës, Volljakut, Dushit e Qupevës, në tubimet elektorale të mbajtura mbrëmë. Klina është shembulli më i mirë se aty ku qeveris PDK, aty ndodh zhvillimi, përparimi, forcimi i shtetit dhe i mirëqenies së qytetarëve. Bashkë më Klinën e Sferkën, Dushin, Volljakun e Qupevën për fitoren e radhës së PDK-së në Klinë”.

Kështu është shprehur kryetari i PDK-së në Klinë, kandidat për kryetar, Sokol Bashota. Ai në tubimin elektoral në Klinë ka premtuar ndërtimin e stacionit të autobusëve, rregullimin e gjithë infrastrukturës së nevojshme në zonën e parë të qytetit dhe më gjere.

“Të dy tubimet kanë qenë madhështore në përkrahje të kandidatit Sokol Bashota dhe anëtareve për kuvend të komunës”, thotë komunikata e PDK-së.

Në tubimin elektoral në Sferkë, Bashota ka premtuar asfaltimin e rrugës Sferkë-Perqevë, pastaj asfaltimin e rrugëve të fshatit në Sferkë, funksionalizmin shumë të shpejtë të ujësjellësit, asfaltimi i rrugës së shkollës, fushë sporti, ndërtimi i trotuarit për nxënës deri të shkolla e Perqevës, rregullimi i ujësjellësit në Dush si dhe rregullimi i kanalizimit, asfaltim të rrugëve në Qupevë dhe Volljakë, rregullimi i kanalizimit nëpër lagje në Volljakë.

Në këto tubime, Bashota, përmendi “të arritura e mëdha” që janë bëre në Klinë dhe fshatra të kësaj komune me theks të veçante sheshin e qytetit që është duke u rregulluar për të cilin sqaroi se nëpër të do të kalojnë makinat dhe se kapaciteti i tij është të përballoj peshën deri në 60 tonë.

Ai tha se në shesh është ndërtuar edhe galeria ku po ndërrohen gypat e ujësjellësit që janë nga azbesti derisa gjitha kabllot e rrymës, telefonit do të jenë në galeri dhe çdo prishje eventuale mund të rregullohet pa e penguar lëvizjen e automjeteve.

“Janë dezinformata ata të cilët thonë se uji i ujësjellësit të Klinës nuk pihet, Instituti i Shëndetësisë Publike, në bazë të mostrave të ujit të marra në 5 vend burime të qytetit, ka dalë me rezultate se uji i plotëson standardet e lejuara për pije që nga viti 2006”, ka thënë Bashota.

“Ne po punojmë të tjerët le të thonë çka të donë, ujësjellësi do të shtrihet në të gjitha fshatrat e Klinës”, premtoi Bashota. Në këto dy tubime elektorale janë prezantuar edhe kandidatët e PDK-së për Kuvend të Komunës.

“Më ketë prezencë të madhe, ju po përçoni mesazhin të partitë tjera të cilat me krejt elektoratin e Komunës së Klinës nuk kanë arritur ta mbushin sallën e kulturës. 22 tetori po ofron, dilni në zgjedhje sa me masovikisht dhe tregoni forcën e PDK-së, rikonfirmimin e fitores tonë të madhe. Edhe ata që nuk janë në partinë tonë, mos ta djegin votën e tyre, por të behën pjese e fitores së PDK-së. Besoj në forcën dhe mbështetjen e juaj”, tha Bashota.