Zgjedhjet lokale

Mustafa: Kemi bërë Ligjin për Obiliqin, tash do ta zhvillojmë komunën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të martën në një takim me qytetarët e Obiliqit, se gjatë qeverisjes së LDK-së në nivel qendror është miratuar Ligji për Obiliqin, ndërsa pas fitores së 22 tetorit do ta drejtojmë këtë komunë kah zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, njofton kumtesa partiake, transmeton koha.net.

“Sa kam qenë kryeministër jam kujdesur që projektet për Obiliqin të shkojnë përpara. Në asnjë rast nuk jemi sjellë ndaj Obiliqit në mënyrë partiake, por kemi treguar vëmendjen që ky qytet e meriton. Deputetët tanë në Kuvendin e Kosovës e kanë shtyrë përpara dhe e kanë miratuar Ligjin për Obiliqin. Ky ligj i jep mundësi kandidatit tonë Mehmet Krasniqi, që pas fitores në zgjedhje të ofrojë projekte në të mirë të qytetarëve”, tha Mustafa.

Sipas tij, me këtë përkrahje dhe me këtë entuziazëm që po duket, fitorja në Obiliq është e sigurt.

“Kemi investuar shumë në Obiliq dhe do të investojmë edhe më shumë, sepse jemi ne LDK që ka programet më të mira zhvillimore, dhe ne jemi ata të cilët meritojmë ta drejtojmë qeverinë e këtij vendi, dhe jo këta që nuk kanë vizion ta bëjnë një gjë të tillë. Ata kanë vizion vetëm si ta sundojnë këtë vend, ndërsa vizioni i LDK-së është qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik dhe punësimi”, potencoi kreu i LDK-së.

Ai pohoi se nëse qytetarët dëshirojnë qeverisje të mirë, e kanë LDK-në, i kanë njerëzit që ju i keni propozuar për këshilltarë të Kuvendit Komunal të Obiliqit dhe keni kandidatin për kryetar komune, Krasniqi, cili pa asnjë dyshim do të fitojë në zgjedhje.

Kandidati i LDK-së për Obiliqin, Mehmet Krasniqi, ka thënë se programin zhvillimor katër-vjeçar do ta zbatojmë në bashkëpunim me grupet e ekspertëve të të gjitha fushave.

“Me LDK në pushtet do të përkrahen shumë më tepër bizneset e vogla, derisa kujdes i veçantë do t’u kushtohet femrave. Do të punojmë shumë në ngritjen e cilësisë në arsim dhe depolitizimin e shkollave tona dhe kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit. Do të investojmë në masë të madhe për rininë tonë, do t’i kushtojmë rëndësi të madhe edhe sportit, si në infrastrukturë, ashtu edhe për klubet dhe sportistët reprezentativë“, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka premtuar edhe qasje shumë më serioze në shëndetësi, infrastrukturë dhe urbanizëm.