Zgjedhjet lokale

Berisha merr mbështetje edhe nga Kushnini i Hasit

Rrjedha e takimeve gjatë fushatës elektorale të Nismës në Prizren dhe kandidatit për kryetar, Zafir Berisha, vazhdoi edhe në Has, përkatësisht në fshatin Kushnin.

Berisha, i shoqëruar nga kandidatët për kuvend komunal të Prizrenit që vijnë nga rajoni i Hasit, sipas komunikatës së kësaj partie, nga ky takim morën garancën e duhur për mbështetje në zgjedhjet komunale që do të mbahen me 22 tetor.

Kandidati për kryetar, Zafir Berisha, duke ua rikujtuar banorëve të kësaj ane se në ditët më të vështira ka qenë pranë tyre, siç ishte lufta e fundit, me të drejtë tha se ai ndjehet më “hasjan” se disa të tjerë, “të cilët edhe pse vijnë nga kjo anë, megjithatë rajoni i Hasit u bie ndërmend vetëm në kohen e fushatave elektorale”.

“Më shumë se kurrë hasjanët kanë nevojë për një trajtim ndryshe, duke ofruar perspektivë dhe qasje të re, e jo si deri tani që të vetmen rrugëzgjidhje e kanë parë mërgimin. Në Has kërkohet investim konkret, i matshëm dhe i arritshëm. Kjo mund ta bëhet vetëm duke implementuar programin e Nismës, me vizionin socialdemokrat dhe kjo arrihet falë mbështetjes tuaj me 22 tetor, duke votuar kështu numrin 31, Nisma për Kosovën dhe kandidatin për kryetar”, theksoi mes tjerash kandidati për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha.

Ndërsa kandidatët për kuvend komunal nga ekipi i Nismës në Prizren, që pritet të përfaqësojnë këtë rajon, Muhamet Shalaj, Kujtim Çoçaj dhe Mentor Qenaj, unanimisht kërkuan nga bashkëvendësit e tyre ofrimin e një mundësie për Nismën dhe për ta si të zgjedhur të mundshëm për kuvend komunal, në mënyrë që ata nesër të kenë mundësinë t’i përçojnë kërkesat e këtij rajoni në kuvendin komunal të Prizrenit.

“Pa një përfaqësim të tillë, gjërat e nevojshme për Hasin mbeten të pazgjidhura si deri më tani. Andaj vota juaj me 22 tetor nëse jepet për Nismën, do të nënkuptonte një kontribut për të mirën e përbashkët dhe për një të ardhme më të ndritur për të gjithë”, u tha nga ky tubim.