Zgjedhjet lokale

Vetëvendosje merr përkrahje edhe në Zvicër

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje ka qëndruar ditëve të fundit në Zvicër. Qindra qytetarë kanë bashkëbiseduar me kryetarin e LVV-së, Visar Ymeri dhe me deputetët Aida Dërguti, Dardan Molliqaj dhe Albulena Haxhiu, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në Kosovë, si dhe për rolin e rëndësishëm të mërgatës në zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Mbështetja e mërgatës për Alternativën Qeverisëse të Vetëvendosjes dhe për programin e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit u rivërtetua gjatë tubimeve të zhvilluara në Gjenevë, Bern, Basel, St-Gallen dhe Cyrih.

Lëvizja Vetëvendosje ka rishprehur angazhimin e saj për krijimin kushteve të nevojshme, që mërgata e Republikës së Kosovës të mund të votojë në objektet e përfaqësive diplomatike, si në ambasada dhe në konsulata.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë falënderuar mërgatën për kontributin e saj në çlirimin e Kosovës dhe në ruajtjen e paqes sociale, duke u zotuar njëkohësisht për angazhim edhe më të madh politik të Lëvizjes, në krijimin e hapësirave dhe mundësive për përfshirjen e saj në jetën politike dhe socio-ekonomike të Republikës së Kosovës.