Zgjedhjet lokale

Vetëvendosje në Han të Elezit, premton zgjidhjen e shumë problemeve

Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim zgjedhor në Hanin e Elezit, ku të pranishëm ishin deputetët Albin Kurti, Glauk Konjufca e Donika Kadaj, të cilët së bashku me bartësin e listës për Kuvendin Komunal, Akif Shkreta, ftuan qytetarët e kësaj komune të mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje sikurse me 11 qershor.

Deputeti Glauk Konjufca gjatë këtij tubimi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka listën më të mirë të kandidatëve për Kuvendin Komunal, të cilët janë njerëz që e duan komunën e tyre dhe angazhohen për zhvillimin e saj. Ai ka folur edhe për kryetarin aktual të Hanit të Elezit, Rufki Sumën, të cilit krahas vlerësimeve për shumë punë të mira, ia ka përmendur edhe disa të meta qeverisjes së tij. Ndër to, Konjufca përmendi se Suma nuk ka bërë mjaftueshëm në mbrojtjen e ambientit, i cili po dëmtohet veçanërisht me shkatërrimin e pyjeve nga kompani të afërta me pushtetin qendror.

Në anën tjetër, deputetja Donika Kadaj falënderoi qytetarët e Hanit të Elezit për mbështetjen e vazhdueshme, duke potencuar se Lëvizja Vetëvendosje ka të vetmen aleancë me popullin dhe se është e vetmja alternativë në vend. Ajo tha se me 22 Tetor, Lëvizja Vetëvendosje do të dalë forca e parë politike në shumicën e komunave, por theksoi që nuk do të kënaqemi vetëm me fitoren, pasi që fitorja do të jetë vetëm fillimi i një angazhimi që kërkon shumë punë për të sjellë zhvillim, drejtësi e barazi.

Kurse, deputeti Albin Kurti tha se Hani i Elezit është komunë e vogël, por tha se ka zemër të madhe. Ai përmendi dyfishimin e numrit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, duke bërë thirrje për angazhim që të dyfishohet edhe numri i asamblistëve në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit. Në këtë tubim, Kurti foli për problemet me të cilët ballafaqohen qytetarët e Hanit të Elezit, në veçanti për mungesën e ujit të pijshëm nëpër shumë fshatra, mungesën e çerdheve dhe mungesën e mjekëve në QKMF, për të cilat probleme tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka prioritet për t’iu gjetur zgjidhje. Ndërsa, përmendi edhe shkatërrimin e fabrikave nga procesi i privatizimit, prej ku përfituan politikanë që politikën e shohin si biznes.

Tubimi u përmbyll nga bartësi i listës së Kandidatëve për Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit, Akif Shkreta. Ai fillimisht foli për angazhimin e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë legjislaturës së kaluar të Kuvendit Komunal të kësaj komune në mbrojtje të interesave të qytetari, e më pas shpalosi prioritetet programore që asamblistët tanë do t’i çojnë përpara në legjislaturën e ardhshme. Në fund, Shkreta prezantoi veç e veç kandidatët për Kuvendin Komunal, duke bërë thirrje që tën votohet numri 10 me 22 Tetor, duke e quajtur atë numër të fitores.