Zgjedhjet lokale

Nisma: Vazhdon mbështetja e fuqishme për Zafir Berishën edhe në Vlashnje

Descriptive Text

Vendtakimi i radhës gjatë fushatës elektorale i kandidatit për kryetar të Prizrenit nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ishte fshati Vlashnje.

Nën përcjelljen e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, bartësit të listës së kuvendarëve të Nismas, Sinan Aliaj, si dhe të disa kandidatëve për kuvend komunal, kjo parti thotë se Berisha u prit dhe u përkrah fuqishëm nga banorët e këtij lokaliteti, “duke rikonfirmuar kështu fitoren e Nismas në Prizren”.

Gjatë këtij tubimi u prezantua platforma qeverisëse e kësaj partie, apo thënë konkretisht “u prezantuan planet konkrete të hartuara nga qeverisja e ardhshme e Zafir Berishës, plane këto që do të kenë impakt direkt me banorët e fshatit Vlashnje, e që do të implementohen nga kryetari i ardhshëm i Prizrenit, Zafir Berisha”.

Berisha, duke përshkruar afërsinë e kultivuar ndër vite që ka me Vlashjanët, potencoi se do të përdoret çdo metodë në dobi të tyre, duke vënë kështu në theks të veçantë thithjen e investitorëve për këtë pjesë.

Kandidati për kryetar premtoi që shkolla aktuale në fshatin Vlashnje, e cila është më dëmtuara në komunën e Prizrenit, “pas ardhjes time në qeverisje, do t’i ngjason shkollave të modelit evropian, të pajisura kështu me kabinete të ndryshme dhe salla sportive”.

Ish-shefi i grupit të kuvendarëve të Nismas, Skender Susuri, potencoi se “me ardhjen e Zafir Berishës si i pari i komunës, Vlashnja dhe lokalitetet tjera, do të kenë ujë 24 orë”.

Kandidatja për kuvend komunal nga ky lokalitet, Ganimete Hoxhaj, tha se “me mbështetjen e vlashjanëve për kryetarin dhe për mua si kandidate, ju e fuqizoni ekipin e Nismas, ekip ky që do të jetë në shërbim tuajin dhe qytetarëve të Prizrenit në përgjithësi”.