Zgjedhjet lokale

LDK me më së shumti shkelje gjatë fushatës zgjedhore

Janë bërë dhjetë ditë, prej kur ka nisur fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, e dënimet për partitë që po shkelin rregullat zgjedhore po rriten.

Vetëm në dhjetëditëshin e parë, në PZAP kanë shkuar 63 ankesa 45 prej të cilave janë shqyrtuar, raporton KTV.

Shuma e gjobave që ka shqiptuar ky panel është 21,950 euro nga të cilat prin LDK-ja me 13 mijë euro, e dyta është PDK-ja me 4 mijë e 450 euro, me 1650 euro është dënuar AKR-ja, pasuar nga AAK-ja me 1 mijë e 50 euro. Me nga 500 euro janë dënuar Nisma e Alternativa, ndërsa me nga 250 euro janë dënuar tri parti minoritare.

Kryeshefi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, ka thënë se me situatën e deritashme duket se do të ketë shumë dënime për partitë politike.

Ndërkohë, vetëm nga rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim” në PZAP janë raportuar 25 shkelje.

Në monitorimin që ky rrejt i organizatave i ka bërë fushatës zgjedhore për 9 ditë me 61 vëzhgues të saj del se partitë politike sërish kanë keqpërdorur resurset shtetërore e ku prin PDK-ja.

Gjithashtu sipas DnV-së, në këtë periudhë të fushatës është parë përfshirja e fëmijëve, madje edhe në mënyrë të organizuar.

Nga zgjedhjet nacionale të 11 qershorit PZAP-ja vetëm për 10 ditë fushatë kishte shqiptuar më shumë se 350 mijë euro gjobë ndaj partive politike.