Zgjedhjet lokale

Alternativa në Gjakovë siguron zhvillimin dhe demokracinë

Sonte në prezencën e mijëra qytetarëve te Komunës së Gjakovës, është mbajtur tubimi i hapjes së fushatës elektorale të Alternativës në Gjakovë.

Hapjen e këtij tubimi e bëri nënkryetari i Alternativës dhe deputeti i Republikës së Kosovës, Ilir Deda, i cili prezantoi të arriturat e qeverisjes Kusari Lila për katër vite në Gjakovë, me theks të veçantë, guximin e kryetares për të luftuar korrupsionin, zhvatjen dhe dukuritë negative të ish pushtetit të AAK-së.

“I veçantë ka qenë momenti kur është ftuar për fjalën e saj kryetarja e deritanishme e Gjakovës dhe kandidatja për katër vite të tjera për këtë Komunë, Mimoza Kusari Lila”, thuhet në kumtesën e Alternativës.

Kusari Lila ka thënë se me emocionet dhe gëzimin, bashkë po e ndjejmë fitoren e sigurt në Gjakovë dhe për më shumë tashmë është bindja, ajo që ju siguron gjakovarëve zhvillimin, demokracinë dhe lirinë e shprehjes edhe për katër vite të tjera.

"Mos të harrojmë, se edhe në këto zgjedhje kemi të bëjmë me të njëjtit ata që në vitin 2009, e kanë dhunuar votën e lirë dhe kanë imponuar një rezultat ndryshe. Ajo çka nuk mundet me të vra, të bënë më të fort, por përkundër të gjithave unë i qëndrova besnike Gjakovës. Përkundër pazareve që u bënë në qeverinë qendrore, unë prapë jam me ju, që të vulosim bashkë suksesin që e kemi nisur katër vite më parë. Ato që i thanë për mua katër vite më parë, i harruan ngase u bënë bashkë për pushtet, harruan që ka shtet dhe u lidhën vetëm për interesat e tyre", ka thënë Kusari Lila.

Në fund të tubimit, u prezantuan edhe kandidatët për asamblenë komunale nga radhët e Alternativës në Gjakovë.