Zgjedhjet lokale

Pacolli i AKR-së premton ndërtimin e 10 shkollave

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Selim Pacolli ka deklaruar me platformën e Aleancës Kosova e Re, është paraparë që në Prishtinë të ndërtohen së paku edhe dhjetë shkolla. Ai këtë komente i bëri në lagjen Kora e Trimave, ku premto se do të ndërtohet një shkollë e mesme me emrin familja Hertica.

Pacolli në një konferencë për media, duke folur për platformën e AKR-së, për arsim ka thënë se kanë vendosur të vizitojnë këtë lagje, ku dikur ka qenë vatër e dijes, por është brengosëse se mungon një pllakë ku do të tregonte që ky është një monument turistik dhe kulturor.

“Ne jemi dëshmitarë të faktit se në çfarë gjendje është sot arsimi në Kosovë, ku janë shkollat në mungesë, janë klasat e stërngarkuara, mësimi zhvillohet në dy turne dhe sigurisht ne nuk do të tolerojmë një avaz të tillë dhe platforma jonë është ajo që do të ndërtojmë së paku edhe dhjetë shkolla në qytetin e Prishtinës, që sado pak të ulet intensiteti nëpër shkolla. Sot jemi pikërisht në këtë vend ku ne synojmë të ndërtojmë një shkollë të re të mesme, e cila do të quhej edhe në emër të kësaj familje të cilët në atë kohë me zemërgjerësi liruan të gjitha shtëpitë e veta”, tha ai.

Sipas tij, secila shkollë në kryeqytet do ta ketë kabinetin e muzikës me vegla.

Ai më pas do të zhvillojë një takim me Sindikatën e pensionisteve, si dhe do të vizitojë kompaninë “Fellini”, dhe shoqatën “Vjollca”.