Zgjedhjet lokale

Cilat komuna i synon LDK-ja në lokalet e 22 tetorit

Lumir Abdixhiku, që është edhe zëdhënës i Shtabit Zgjedhor të LDK-së për zgjedhjet lokale të 22 Tetorit, ka shprehur bindjen se kjo parti do të ketë numrin më të madh të kandidatëve në balotazh.

Ai nuk ka shprehur asnjë dyshim që LDK-ja me Arban Abrashin do ta rikthejë Prishtinën.

“Arbani është duke bërë një performancë të jashtëzakonshme në ofertën që po u ofron qytetarëve të Prishtinës. Programi i tij bazohet në 10 shtylla të mëdha të cilat përfshijnë shumë projekte, e nuk janë thjeshtë pika të cilat mund të bëhen tirk”, ka thënë Abdixhiku, përcjell Koha.net. “LDK-ja mund të ketë pasur probleme në Prishtinë por bazën e ka pikërisht në Prishtinë”, ka thënë ai.

Abrashi ka thënë se LDK-ja do të dalë e para edhe në Prizren me doktorin Hatim Baxhaku.

“Kandidati i jonë atje, baskë me shefin e Degës, Haxhi Abdyli dhe shefin e shtabit zgjedhor Driton Selmanajn kanë arritur të riunifikojnë LDK-në që nuk ka ndodhur tash një kohë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se do t’i mbajnë të gjitha komunat në të cila kanë udhëhequr mandatin e kaluar, teksa ka shprehur bindjen se do të arrijnë të kthejnë edhe Mitrovicën dhe Vushtrrinë.

Abdixhiku ka thënë kanë raportuar edhe në prokurori lajmet e rreme se kinse LDK-ja ka bërë koalicion me PDK-në në Podujevë dhe komuna të tjera.