Zgjedhjet lokale

Vehapi: Kërkesat e SBASHK-ut do të zgjidhen përmes dialogut

Kryetari i Rahovecit Idriz Vehapi ka premtuar që nëse del fitues në zgjedhjet e 22 tetorit, do të bëjë angazhime shtesë për plotësimin e kërkesave legjitime të SBASHK-ut për këtë komunë.

Ai gjatë një takimi me delegacionin e SBASHK-ut, ka lavdëruar angazhimet e SBASHK-ut duke theksuar se vazhdimisht është munduar që përmes dialogut me përfaqësuesit e SBASHK-ut në këtë komunë të realizojë kërkesat brenda mundësive buxhetore.

Delegacioni i SBASHK-ut, i cili udhëhiqej nga kryetari Rrahman Jasharaj, i kanë kujtuar Vehapit obligimet që kanë pushtetet lokale për ta realizuar në tërësi Kontratën Kolektive të arsimit të Kosovës.