Zgjedhjet lokale

Gashi: Nisma është alternativa më e mirë për qytetarët e Klinës

Kandidati i Nismës për kryetar të Klinës, Nezir Gashi, është zotuar se gjatë mandatit të tij qeverisës do të punojë në të gjitha sferat e jetës, të cilat janë me rëndësi për qytetarët.

Ai tha se Nisma ka dëshmuar veten si parti edhe në nivelin qendror dhe edhe në nivel lokal do të jetë e përkushtuar për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

“Nisma është alternativa më e mirë për qytetarët e Klinës. Nisma do të krijoj parakushte për zhvillim ekonomik për të gjithë”, tha Gashi.

Para simpatizantëve të Nismës ai paraqiti programin e tij duke thënë se Nisma synon reforma në administratën lokale, synon të zhvillojë politika, ngritjen e kapaciteteve për nëpunësit civilë, ofrim të informatave digjitale, administratë publike në shërbim të qytetarëve dhe punësim në administratë me baza meritore, raporton KP.

Gashi tha se arsimi cilësor do të jetë prioritet, ku Nisma do të depolitizojë punësimin në komunë duke punësuar kuadër të kualifikuar dhe do të krijohen kushte adekuate për nxënësit.

Ai u zotua se gjatë qeverisjes së tij do të punojë për rregullimin e shëtitoreve dhe shtretërit e lumenjve, ndërkohë që prioritet do të jetë edhe zhvillimi i bujqësisë, duke e pasur parasysh që shumë familje në këtë komunë merren me veprimtari bujqësore.

Ai tha se do te krijojë kushte të mira dhe do të ketë subvencione për bujqit.

Gashi premtoi ndërtimin edhe të qendrës rinore për të rinjtë e kësaj komune.

Pretendenti për Klinën ftoi qytetarët që më 22 tetor të dalin për të votuar dhe t’i dhënë drejtimin e duhur kësaj komune. Ai u zotua se do të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj komune duke thënë se ka ardhur koha e Nismës.

Deputeti i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, tha se nuk ka më gjynah nëse qytetarët e Klinës ia japin edhe një mandat Sokol Bashotës dhe PDK-së, pasi që sipas tij, udhëheqja e PDK-së dhe LDK-së nuk kanë menaxhuar me Klinën, por me hajni të tenderëve.

“Prandaj ka ardhur koha që t’ua jepni besimin këtyre njerëzve. Nuk duhet më me i dhënë mandat asnjë budallai. Ai që është me grah, traktorit le të shkon me i grah. Kosovës i duhen njerëz të mençur, të cilët merren me halle të qytetarëve”, ka thënë Zeka.