Zgjedhjet lokale

Zafir Berisha në vendlindjen e tij u zotua për angazhim edhe më të madh në interes të qytetarëve

Shkolla fillore “Dëshmoret e Vrrinit”, në fshatin Billushë (Kushtrim), ishte vendtakimi i radhës i kandidatit për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha nga radhët e Nisma për Kosovën.

Në vendlindjen e tij, Berisha kërkoi nga të gjithë pranishmit jo për të votuar, sepse kjo veç është e nënkuptuar, por “për t’u bërë pjesë e ekipit të madh të Nismas, i cili është një garancë për një qeverisje ndryshe në Prizren”.

Berisha i siguroi vendasit e vet se edhe si kryetar i Komunës do të mbetet ai që ka qenë si në fëmijërinë e hershme dhe fshati i tij i lindjes do të rikthehet në hartat e investimeve të Komunës së Prizrenit, i cili për shtatë vite rresht, sipas tij, “për fat të keq ka qenë i anashkaluar”.

Berisha mes tjerash tha se ka besimin e plotë të qytetarëve të Vrrinit dhe Prizrenit për të udhëhequr në katër vitet e ardhshme.

Ndërsa kryetari i nëndegës në fshatin Billushë, Pranverim Berisha, kandidat i nominuar për kuvend komunal, tha se kandidati për kryetar Zafir Berisha dhe ekipi i tij, jo vetëm që di, por edhe ka guximin të punojnë për interesat e qytetarëve të Komunës së Prizrenit, për dallim nga kandidatët tjerë.