Zgjedhjet lokale

Pacolli: Kandidatët e AKR-së për kryetarë, me vizion më të gjatë se mandati i tyre

Descriptive Text

Kandidatët e AKR-së për kryetarë komunash kanë vizion disa herë më të gjatë sesa mandati për të cilin kërkojnë votën e tyre, për dallim nga kundërkandidatët e tyre nga subjektet e tjera të cilët janë vetëm improvizues.

Kështu ka thënë i pari i AKR-së, Behgjet Pacolli, me rastin e prezantimit të kandidatëve të saj për kryetar komunash për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Pacolli ka thënë se janë qytetarët e Kosovës ata që e kanë forcën e ndryshimit, derisa i ka ftuar ata që të votojnë AKR-në në mënyrë që të përcaktojnë një jetë më të mirë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Punët më të mira në qytetin tuaj sigurisht se i mundësoni ju, i mundëson vota juaj... Dhashtë Zoti që asnjëherë kush të mos ngris dorën apo gishtin dhe tregon diçka për keq drejt nesh. Tani është koha e njerëzve vizionarë, është koha kur gjërat nuk improvizohen, por ato planifikohen shumë mirë... Ne sot i kemi parë tek partitë tjera se tregojnë programe si menaxhohet komuna dhe lirisht mund të pyes këtu, a ka dikush që ka dëgjuar ose ka bashkëbiseduar me një nga kandidatët e partive tjera se unë kam vizion 50 vjeçar për komunën time, ata nuk kanë vizion as 4 vjeçar, për arsye se prapë me improvizime mendojnë të udhëheqin një komunë... Jam i bindur se këta kandidatë këtu kanë vizion të qartë për komunat e tyre dhe vizioni i tyre është disa herë më i gjatë sesa mandati për të cilin ata kërkojnë votën e tyre”, ka thënë Pacolli, raporton KP.

Mes tjerash Pacolli ka krahasuar fatin e subjektit të cilin ai e drejton me atë të Partisë Liberale në Gjermani, me ç’rast ka theksuar se ka ardhur koha që të dy subjektet simotra, siç i ka quajtur ai, të jenë në Parlament.

“Është kënaqësi edhe për mua kur e shoh se fati i partisë liberale gjermane është i njëjtë me ne. Në kohën kur ne kishim 14 deputet ata kishin 14 deputet. Në kohën kur ne patëm 8 deputet, ata ranë në 10 deputet. Herën tjetër kur ne mbetëm jashtë parlamentit edhe ata mbetën jashtë parlamentit. Tani ne u rikthyem, edhe ata u rikthyen në parlament”, ka vlerësuar Pacolli.

Kandidati i AKR-së për kryetar të Artanës, Ramush Mehmeti, i cili garon për herë të dytë në zgjedhjet lokale duke synuar postin e të parit të asaj komune, ka thënë se meqenëse në zgjedhjet e kaluara kishte humbur për 14 vota, kësaj radhe do të jetë e pashmangshme fitorja.

“Është kënaqësi e veçantë që jam kandidat i komunës më të njohur, kur presidenti ynë na viziton shumë shpesh e qofshim gjithmonë bashkë dhe fitues”, ka thënë ai.

Ndryshe, kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli dhe ai për qytetin e Mitrovicës Agim Bahtiri nuk ishin të pranishëm në këtë ceremoni, përderisa u tha se janë në terren duke takuar qytetarë të komunave përkatëse.