Zgjedhjet lokale

Veseli: Ahmeti kryetar i pasuksesshëm, Çelaj do ta ndryshojë Prishtinën

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe kandidati për kryetar të Prishtinës Lirak Çelaj kanë vazhduar fushatën zgjedhore dorë me dorë me qytetarët e Prishtinës, duke vizituar bizneset për t’u njohur nga afër me problemet e tyre.

Veseli tha se Prishtina ka nevojë për më shumë investime, gjë të cilën nuk e ka bërë kryetari aktual, ani pse kanë pritur më shumë nga ai.

Kreu i PDK-së theksoi se më së miri mësojnë prej bizneseve se ku janë dhe çfarë duhet të bëjnë. Ai kryetarin aktual të Prishtinës Shpend Ahmeti e quajti të dështuar, pasi nuk ka bërë asgjë, pavarësisht se kanë pritur shumë më shumë.

Sipas Veselit, në Prishtinë nuk ka hapësira për lëvizjen e fëmijëve, lëvizjen e biçikletistëve, trafiku është tepër i rënduar, madje në momente të caktuara vozitësit mbeten të bllokuar në rrugën deri një orë.

“Ajo çfarë kemi dashur të gjithë që të kemi investitorë më shumë në komunën e Prishtinës, kryetari i tanishëm nuk është i suksesshëm, kryetari i tanishëm nuk e ka bërë atë çfarë gjithë kemi besuar dhe kemi pritur nga ai. Kjo është arsyeja se në këto zgjedhje kandidojmë me kryetarin tonë për kryetar të komunës së Prishtinës Lirak Çelaj, në mënyrën që të kemi hapësira më tepër familjarët tanë, të ketë rrugë ku mund të lëvizin këmbësorët, biçikletistët, të kemi rrugë ku mund të lëvizin makinat pa u bllokuar për orë të tëra. Në të njëjtën kohë të kemi një qytet me të cilin jemi krenar i cili është më i pastër, një qytet ku mund të integrohet edhe më mirë të rinjtë tanë në tregun e punës, duke krijuar kushte me të mira për investitorët që të investojnë në Prishtinë, jo të vazhdojmë më avazin e vjetër siç ka qenë që të ndërrohen vetëm fjalët nga veprimet asgjë mos të ndërrohet. Lirak Çelaj është ai që do ta bëjë këtë ndryshim”, tha Veseli.

Qytetarët e Prishtinës si në gjithë Kosovën, Veseli tha se janë forca e ndryshimit dhe PDK do t’i qëndrojë përballë kësaj sfide. Kreu i PDK-së tha se vetëm kandidati i tyre Lirak Çelaj mund ta ndryshojë Prishtinën.

“Kemi nevojë për një Prishtinë e cila e ka shpirtin e fuqishëm, shumë të zhvilluar, shumë kërkues, por nuk e ka dinamikën e zhvillimit, infrastrukturor. Atë mund ta bëjë vetëm një udhëheqje e përgjegjshme, atë mund ta bëjë vetëm Lirak Çelaj përmes forcës së ndryshimit në Prishtinë”, tha kreu i PDK-së.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, premtoi se nuk do ta udhëheqë komunën nga rrjetet sociale, siç po bën Shpend Ahmeti.