Zgjedhjet lajme

354 ankesa dhe apele për parregullsitë në zgjedhje

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në një konferencë për media sot ka bërë të ditur se prej shpalljes së zgjedhjeve e deri më janë parashtruar gjithsej 354 ankesa dhe apele.

Mulë Desku nga PZAP, tha se ankesat kanë qenë të natyrave të ndryshme dhe se nga subjektet të cilat kanë shkaktuar parregullsi, prin koalicioni PDK-AAK-Nisma.

Ai pohoi se ankesa më së shumti ka pasur nga Instituti i Kosovës për Demokraci, Demokracia plus, BIRN dhe subjektet politike PDK, AAK, LDK, Alternativa, AKR, LVV.

“Natyra e ankesave kryesisht ka pasur të bëjë me vendosjen e posterëve në hapësirat publike. Pastaj në mospërputhjen e votave, pastaj gabimet në të numëruarit e votave, asistim për votim, bartje e personave për të votuar, tentim për blerje të votës, cenim i përcaktimit të lirë të votuesve, dëmtim i posterave, fotografimi i votës. Disa incidente apo kërcënime që janë paraqitur apo që kanë ndodhur gjatë ditës së zgjedhjeve dhe fushatës. Mungon libri i votimit në vendvotim. Ndërhyrja në procesin zgjedhor. Ndërrimi i komisionarëve dhe parregullsi të tjera. Ankesat ndaj subjekteve që kanë shkaktuar parregullsi gjatë procesit zgjedhor, prin koalicioni PDK-AAK Nisma me 110 ankesa, që janë paraqitur ndaj saj”, tha Desku.

PZAP po ashtu ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike, për shkak se kanë thyer kodin e mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore në shumë prej 352.400 euro.

“Paneli ka shqiptuar gjoba mjaft të mëdha ndaj subjekteve politike dhe kandidatëve. Gjobat e shqiptuara nga paneli, ndaj subjekteve politike arrin në 352 mijë e 400 euro. Koalicioni PDK-AAK-Nisma është gjobitur me 157 mijë e 700 euro. Koalicioni LDK-AKR-Nisma 71 mijë e 700 euro. lëvizja VV 66 mijë“, tha Desku.

Ai tha se me gjithë gjobat e shqiptuara deri më tani janë dy parti, të cilat janë interesuar për t’i paguar borxhet, koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe Fjala.

Për më tepër Desku bëri të ditur se subjektet politike nuk mund të certifikohen për zgjedhjet lokale, pa i paguar këto dënime.

Ndërkaq anëtari i PZAP së Adnan Konushevci, tha se gjendja e thyerjes së kodit të mirësjelljes në këtë vit, është përkeqësuar krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014-të.

Sipas të dhënave të PZAP-së, nga 354 ankesa dhe apele, janë miratuar 141 prej tyre. Janë refuzuar 124, janë tërhequr 16 ankesa, janë hedhur si të pas-afatit 31 ankesa, janë hedhur si të palejuara 21 prej tyre, janë hedhur si të parregullta 4 ankesa, një ankesë është çështje e gjykuar dhe një është dërguar në KPMK.