Zgjedhjet lajme

Berisha i Nismës: PAN nuk është koalicion me qejf

Descriptive Text

Zafir Berisha, ish-deputet i Nismës, thotë se koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma nuk ishte koalicion i bërë me qejf.

Dy ditë pas zgjedhjeve, që PAN-in e nxorën të parën, por jo mjaftueshëm sa për të bërë vetë qeverinë, Berisha në Interaktiv të KTV-së ka thënë se asnjë koalicion nuk është bërë me qejf.

“Nuk ka koalicion me qejf. Kombinimet në politikë bëhen të imponuara nga fuqia e votuesit që kanë subjektet”, ka thënë ai.

Pavarësisht se e quan koalicion jo me qejf, ai vlerëson se Nisma do të ketë më shumë deputetë në legjislaturën e ardhshme, në krahasim me numrin që kishte në legjislaturën e kaluar.

Në Interaktiv të KTV-së, Berisha ka thënë se brenda koalicionit PAN, që ka marrë rreth 90 mijë vota më pak në krahasim me zgjedhjet e 2014-s kur subjektet garonin si të ndara, Nisma është treguar fuqi e madhe dhe ka arritur të sigurojë tetë ulëse në parlamentin e Kosovës.

“Nisma ka ngritje edhe në këtë koalicionin jo shumë të pranueshëm. Do të kemi më shumë deputetë se që kishim. Dikush thotë se Nisma u ndëshkua nga qytetarët, por Nisma i ka pasur 6 deputetë tash i ka 8”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka refuzuar të flasë se cili partner i koalicionit PDK-AAK-Nisma ka pasur rënie. Ka thënë se tani koalicioni PAN, që nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për të krijuar qeverinë si e vetme, duhet të nisë bisedimet edhe me koalicionet dhe subjektet tjera që do të jenë pjesë e Kuvendit.

“Është përgjegjësi e tre liderëve që të angazhohen për numrat. Por pa dalë rezultati përfundimtar edhe i subjekteve edhe kandidatëve dhe forcave politike brenda koalicioneve, mendoj se është herët të flasim. Rregullat e lojës e qojnë që Haradinaj duhet të fillojë bisedimet për të formuar shumicën parlamentare”, ka shtuar ai.