Zgjedhjet lajme

Çfarë do të ndodhë me demarkacionin, nëse vendi qeveriset nga VV-ja

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse ai merr qeverisjen e vendit do të kërkojë takim zyrtar me Podgoricën për të biseduar lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.

Kurti në Rubikon të KTV-së ka thënë se do të kërkojë një komision hetimor parlamentar se çfarë është bërë nga komisionet e deritanishme.

“Duhet të kemi një komision hetimor parlamentar që të shohim se çfarë ka bërë e çfarë jo Murat Meha për të cilat qëndrime dhe vendime mendoj se ishin misterioze. Ka nevojë për një hulumtim. Jemi për demarkacion me Malin e Zi, demarkacioni që është bërë nga Meha dhe i nënshkruar nga Thaçi e Hyseni ka qenë ndryshim kufiri. Duhet t’ia dëshmojmë Malit të Zi. Nuk kemi interesa e as mundësi të prishim marrëdhëniet me Malin e Zi. Luftën s’e shkaktojnë mosmarrëveshjet, por marrëveshjet e këqija”, ka thënë ai.