Zgjedhjet lajme

Koalicionet e ndara në ditën e zgjedhjeve

Premtimet e pa koordinuara dhe daljen si të ndara nëpër fushatë, subjektet politike që janë në koalicion, do ta vazhdojnë edhe në ditën e zgjedhjeve. Ato nuk kanë bërë shtabe të përbashkëta zgjedhore, por të gjitha ato që duan t’i thonë, do ta bëjnë nëpër zyrat e veta.

E vetmja që pritet t’i bashkojë është festa ose komentimi i rezultateve në mbrëmje.

Përfaqësuesit e subjekteve politike i kanë thënë KosovaPress-it se të gjitha deklaratat për ecurinë e procesit zgjedhor do t’i mbajnë të ndara si parti.

Sekretari ekzekutiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valon Tolaj, duke qenë i bindur që koalicioni PAN do të jetë koalicioni fitues i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ka deklaruar se për shkak të efikasitetit në ditën e zgjedhjeve, partnerët do të funksionojnë si të veçantë, mirëpo për kumtimin e rezultateve preliminare të votave do të mbajnë një konferencë të përbashkët.

“Të gjitha subjektet politike kanë shtabet zgjedhore të veçanta, ka koordinim mes tyre me një person përgjegjës. Në ditën e zgjedhjeve për shkak të efikasitetit do të funksionojë si shtabe të veçanta, do të funksionojmë në bazë të traditës dhe do të përkujdesemi për të gjitha shtabet zgjedhore që të gjitha votat çka janë të koalicionit të grumbullohen në një pikë në orën 00:00”, tha ai.

Këtë zgjidhje e kanë parë si rrugën më të mirë edhe koalicioni tjetër, LDK-AKR-Alternativa. Sipas shefit të shtabit zgjedhor të AKR-së, Rrahim Pacolli, Aleanca Kosova e Re në prononcime do të paraqitet e vetme, në rast se ka ndonjë parregullsi që e dëmton AKR-në.

“Ne si AKR do të dalim në konferenca nëse ka ndonjë parregullsi që e dëmton AKR-në. AKR do të dal vetëm në konferenca”, tha ai.

Ndërkaq këshilltarja për komunikim e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nejla Bejta, tha se të gjitha paraqitjet publike gjatë ditës së 11 qershorit do t’i mbajnë në mënyrë të ndarë secili shtab zgjedhor.

Bejta ka thënë se komunikimin e rezultateve përfundimtare do t’i mbajnë së bashku i gjithë koalicioni në shtabin zgjedhor të LDK-së.

“Prononcimet gjatë ditës së zgjedhjeve do t’i mbajmë secili vetëm, mirëpo qendroret do t’i mbajmë në shtabin zgjedhor”, tha ajo.

Kurse, koalicioni PDK-AAK-Nisma, ende nuk ka vendos se ku do ta mbaj konferencën e përbashkët për t’i shpalosur rezultatet përfundimtare, edhe pse si opsion e shohin zyrat e shtabeve zgjedhore.

As koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe as koalicioni LDK-AKR-Alternativa, nuk kanë vendosur se ku do të festojnë në rast se dalin fitues në këto zgjedhje.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje është ajo e cila sheshet e kryeqytetit të Prishtinës i sheh si zgjidhjen më të mirë për të festuar në rast se dalin fitues të zgjedhjeve të jashtëzakonshme