Zgjedhjet lajme

Veseli në Klinë: Do t’i rrisim pagat 30 për qind

Partia Demokratike e Kosovës të mërkurën pasdite ka mbajtur tubim zgjedhor në Klinë me simpatizantët e tyre për ta shpalosur programin qeverisës dhe kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli premtoi se në qeverisjen e tyre do të ndërtojnë një shtet të fuqizuar ekonomikisht. Sipas Veselit synimi i Fillimit të Ri, është që ekonomia e Kosovës do të jetë më e fuqishme, në të cilën qytetarët e Kosovës kanë me pasur perspektivë. Sipas tij, prioritet do të jetë edhe fuqizimi i sektorit të bujqësisë.

“Duhet me ndërtuar këtë shtet dhe duhet me fuqizuar këtë shtet ekonomikisht në mënyrë që të jemi krenarë me shtetin tonë Republikën e Kosovës, andaj, ky është Fillimi i Ri, kjo është e ardhmja e Kosovës. Fillimi I ri nuk e ndanë Kosovën nuk i përçanë vëllezërit dhe motrat mes veti, I bashkon i mbanë shumë të bashkuar rreth shtëpisë së tyre të sigurt, rreth identitetit të tyre kombëtar , rreth flamurit shtetëror… Kjo është ajo çfarë jemi nisur për Fillimin e Ri, në të cilin ekonomia jonë do të jetë më e fuqishme, në të cilën njeriu I Kosovës ka me pasur perspektivë në shtetin e vet e jo për të dalë e jetuar në vendet e huaja… Fuqizimi i bujqësisë do të jetë prioritet jonë për ata që jetojnë nga djersa e ballit të tyre që mbajnë familjet e tyre, që krijojnë të mira materiale, prodhim, produkte ushqimore dhe punësim I familjarëve të tyre dhe punësojnë të rinj dhe të reja tona”, theksoi Veseli.

Ai duke treguar se do të pesëfishojnë rritjen e eksporteve për të balancuar raportin tregtar, premtoi se për katër vitet e ardhshme 30 për qind të do të rriten pagat e të gjithë atyre në sektorin publik në Kosovë.

Kryetari i degës së PDK-së dhe kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota tha se sot në Klinë në këtë tubim madhështor PDK prezanton dy kandidatët e saj të cilët janë në listën e PDK-së, kandidati Ukë Berisha dhe Ramush Agushi.