Zgjedhjet lajme

PDK reagon ndaj LDK-së për qëndrimin e Thaçit në Prizren

Gjatë ditës së sotme një kumtesë për media nga LDK-ja, është thënë se “Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është fotografuar në Prizren në shoqëri të Njazi Kryziut, zyrtarit të shkarkuar të komunës së Prizrenit, pas publikimit të “Dosjes Pronto” dhe një serie skandalesh të udhëheqjes së Komunës së Prizrenit prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por të shpërblyer prej pasuesit të Hashim Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veselit, me një pozitë këshilltari në kabinetin e tij të stërmadh si ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, njofton kumtesa partiake.

Por një gjë të tillë, dega e PDK-së në Prizren e ka mohuar.

Në njoftimin nga PDK, thuhet se kjo është dezinformatë për të keqpërdorur figurën e presidentit Thaçi, dhe se në foto nuk është fare kandidati për Deputet Nijazi Kryeziu.

Reagimi i PDK-së.

Shtabi zgjedhor i Degës së PDK-së në Prizren, shpreh keqardhjen në lidhje me dezinformatën e ditës së sotme e cila është lansuar nëpër medie të ndryshme nga eksponent të Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët pa fije sensi e turpi bëjnë orvatje që ta mashtrojnë opinionin publik se gjoja “Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi është fotografuar në Prizren me sekretarin e përgjithshëm të Degës së PDK-së, njëherit kandidat për Deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës Nijazi Kryeziu”

Shtabi zgjedhor i degës së PDK-së në Prizren, dënon ashpër cilëndo tendencë të kujtdo qoftë që keqpërdor figurën e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe mediumet e ndryshme duke dezinformuar opinionin publik për gjoja përfshirjen e tij në fushatën elektorale.

Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti se fotoja e cila i është bashkangjitur këtij “lajmi” është një mashtrim optik i opinionit, për faktin se në këtë foto nuk shihet askund sekretari i degës së PDK-së në Prizren, njëherësh kandidat për deputet Nijazi Kryeziu.

Ne shprehim keqardhjen e thellë për gjendjen e rëndë emocionale nëpër të cilën po kalojnë zyrtarët e LDK-së, e që në këtë rast po manifestohet ndër të tjera edhe me halucinacione.

Gjithashtu ne ndjejmë keqardhje për zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët mund ta kenë humbur fokusin e ndoshta edhe të pamurin nga frika dhe tronditja e thellë e humbjes të cilën po e përjetojnë nga masovititeti i jashtëzakonshëm i qytetarëve të shumtë që po e mbështesin Fillimin e Ri.

Ne i sigurojmë të tremburit e LDK-së se 11 qershori do të vije shumë shpejt, e qytetarët e Komunës së Prizrenit por edhe të gjithë Kosovës në mënyrë plebishitare do e votojnë Partinë Demokratike të Kosovës, pastaj do marrë fund kjo agoni e dështakëve të shumë pal zgjedhjeve.

Gjithashtu ne ju rikujtojmë se Nijazi Kryeziu do jetë deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës e padyshim ai do i përfaqësoj interesat e të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit e ndër ta edhe atyre të LDK-së.