Zgjedhjet lajme

LDK e Ferizajt vendos banerin mbi mural, reagon PDK

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj ka reaguar pas vendosjes së një baneri të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca mbi një mural, që është vepër publike e mbrojtur me rregullativa ligjore lokale dhe qendrore.

PDK thotë se ky baner i vendosur mbi një mural, paraqet shkelje të rregullave zgjedhore, cenim të të drejtës autoriale, për të cilën gjë autori e muralit mundet të inicojë procedurë gjyqësore për një akt të tillë, si dhe keqpërdorimin e pushtetit komunal, kjo për faktin se me pushtetin politik në Komunën e Ferizajt, qeveris LDK-ja, transmeton kp.

“Aq më skadaloz është fakti se kandidati për deputet Grainca, është në lidhje të afërt familjare (djali i vëllait) me kryetarin e shtabit zgjedhor të LDK-së në Ferizaj, Faik Grainca. Qyteti i Ferizajt, është qytet që për simbolikë ka një mural, andaj aktet e tilla, të njollosjes politike të një vepre publike, janë fyerje për qytetarët dhe provokim i incidenteve mes grupeve politike, pjesë e garës zgjedhore. Përfundimisht një akt i tillë nga kandidati për deputet Grainca, shkel rregullat zgjedhore për formën dhe vendin e ekspozimit, shkel legjislacionin në fuqi që mbron të drejtën e pronësisë intelektuale, të drejtën e autorit, si dhe njollos një simbolikë të qytetit, i cili identifikohet me murale”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Organet monitoruese të procesit zgjedhor, mekanizmat institucional dhe joqeveritar, ekipin e realizimit të muralit, duhet që ta denoncojnë një akt të tillë, si dhe të merren masa konform rregullativës ligjore në fuqi.