Zgjedhjet lajme

Hoti: Do ta bëjmë Shtërpcën destinacion turistik botëror

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, të martën ka thënë se me Programin e ri qeverisës do ta bëjmë Shtërpcën destinacion turistik të rangut botëror, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

“Shtërpca është vend specifik, prandaj ju garantoj se, ashtu siç kemi punuar gjatë qeverisjes sonë, do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, madje me intensitet edhe më të madh. Do të punojmë më tepër në infrastrukturë për të pasur qasje më të lehtë në fshatrat e bukura të kësaj ane, do ta kthejmë Shtërpcën në një destinacion turistik të nivelit botëror”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se me Ligjin për investime strategjike do të punojmë menjëherë me partnerët e koalicionit rreth fillimit të procedurave për kontraktimin e një investimi të madh në Brezovicë me çka do të ndërrohet gjendja në Shtërpcë, sepse mundësitë për punësim do të jenë shumë më të mëdha.

“Programi ynë në fushën e bujqësisë është më i miri i mundshëm që është parë ndonjëherë në Kosovë. Gjatë këtij mandati e kemi dyfishuar mbështetjen për bujqësi, ndërsa prej janarit 2018 planifikojmë ta trefishojmë buxhetin për bujqësinë, do të japim grante, sidomos për blegtori dhe njëherësh duke u siguruar se subvencioni dhe granti arrin te bujku dhe jo gjysma e tyre të zhduken rrugës”, ka thënë Hoti.

Ai ka deklaruar se kemi një program shumë të mirë për rininë, i cili u mundëson atyre të gjejnë punë sapo të përfundojnë studimet.

Kryetar i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa ka thënë se e gëzon fakti që ju gjithmonë keni qenë pjesë e rëndësishme e LDK-së dhe kjo po shihet edhe sot nga përkrahja juaj.

“Ky koalicion mund të bëjë shumë punë të mira dhe ju ta shfrytëzoni edhe më tepër këtë natyrë të bukur që e keni. Hotelet, fabrikat dhe resurset e kësaj pjesë nuk do të jenë më vetëm për një komunitet, por për të gjithë qytetarët dhe të gjithë të përfitojnë nga këto bukuri natyrore”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, me një program të shkëlqyeshëm qeveritar të z. Hoti dhe me përkrahjen tonë të plotë, nga i gjithë koalicioni, pretendojmë të qeverisim Kosovën, sepse jemi të bindur që është alternativa më e mirë, shumë më e mirë se qeverisja e PDK-së, e cila ka qeverisur gjatë, por nuk arriti të ketë një koncept ekonomik.