Zgjedhjet lajme

Veseli në Obiliq: Do të investojmë 1 miliard euro në Kosovën e Re

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka mbajtur të martën një takim me qytetarët e Obiliqit, ku premtoi se do të ketë investime prej një miliard euro në Kosovën e Re dhe implementimin e plotë të ligjit për këtë komunë.

Ai ka thënë se Kosova dhe Obiliqi kanë nevojë për misionin Fillimi i ri dhe zhvillimin ekonomik.

“Do të fuqizojmë rininë tonë. Fillimi i ri është fuqizim. Do të fuqizojmë prodhimin, do të pesëfishojmë eksportin. Do të rriten pagat për 30 për qind për mësuesit, policët, zjarrfikësit”, ka thënë Veseli.

Ai u zotua se në qeverisjen e ardhshme Ligji për Obiliqin do të implementohet 100 për qind.

“Kjo komunë i jep dritë gjithë Kosovës dhe këtij vendi do t’i shpaguhet me një ambient të pastër. 1 miliard euro do të ketë investime vetëm në Kosovën e Re. Më 11 qershor gjithë populli ka nevojë të mendojë kur të dalin për të votuar për shtetin e tyre. Të mendojnë se çka mundemi t’i ndihmojmë këtij vendi, për t’i dhënë një të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë”, ka shtuar Veseli.