Zgjedhjet lajme

“Cernica i thotë PO koalicionit të LDK-së, bashkë me Gumnishtën, Kravaricën e Vrapqiqin”

Descriptive Text

LDK, përmes një komunikate për media, ka thënë se kandidatët për deputetë të kësaj partie në Gjilan po mbështeten në mënyrë madhështore nga qytetarët gjithandej territorit të komunës.

Sipas komunikatë, një pritje të tillë ata e kanë gjetur sonte në Cernicë, ku simpatizantët e shumtë “i thanë një PO të madhe koalicionit të LDK-së, së bashku me Gumnishtën, Kravaricën e Vrapqiqin”.

“Jemi në një fazë kur duhet t’i qartësojmë hesapet me konkurrentët tanë politikë. Në mejdan politik kemi me dalë dhe kemi me ia kallxue vendin, njësoj sikur para tre vjetëve. LDK në Cernicë asnjëherë nuk ka qenë partia e dytë. Për 27 vjet me radhë, jeni gjithmonë të parët. Me besim në Zot, familje e atdhe, do të fitojmë në mënyrë madhështore”, u shpreh kryetari i Degës dhe nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri.

Ndërkaq, duke iu drejtuar të pranishmëve, kandidatja e LDK-së për deputete, Lirije Kajtazi tha se vetëm LDK e orienton drejtë dhe e përparon Kosovën. “Qysh e kemi mposhtë PDK-në në Gjilan, në krye me Lutën, ashtu edhe kemi me mposhtë PDK-në në nivel qendror”, tha ajo.

Kandidati tjetër, Imet Rrahmani, tha se LDK-ja për këto vite ka dëshmuar se mund të punojë drejt, në përputhje me ligjin, duke shtuar se programi i LDK-së garanton zhvillim, prosperitet dhe jetë më të mirë për qytetarët.

Ndërkohë, kandidatja tjetër e LDK-së nga Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi theksoi se me përkrahjen e burrave dhe grave “do të dalim suksesshëm më 11 qershor”. Ajo ka ftuar të pranishmit që të lobojnë derë më derë për një Kosovë evropiane, përderisa Isa Agushi ka deklaruar se LDK-ja meriton votën e qytetarëve “sepse është e vetmja parti shtetëformuese që e çon Kosovën përpara”.

Në fund, kandidatja nga radhët e koalicionit, Labinotë Demi Murtezi, kërkoi mbështetjen e qytetarëve më 11 qershor, “që të punojmë drejt dhe me një të ardhme prosperuese për fëmijët tanë.

“Unë nuk dyshoj që ju e keni nda mendjen për ta mbështetur Avdullah Hotin për kryeministër dhe koalicionin e Shpresës”, tha ajo.