Zgjedhjet lajme

LDK në Livoç të Ulët kërkon mbështetjen për Hotin kryeministër

LDK-ja, përmes një komunikate për media, tha se Livoçi i Ulët, Rruga e Frizajt dhe Blinaja me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në tubim, kanë dëshmuar përkrahjen e fuqishme për këtë subjekt politik, përkatësisht kandidatët për deputetë, Lirije Kajtazi, Imet Rrahmani, Valentina Bunjaku Rexhepi dhe Isa Agushi.

Në këtë tubim, i pranishëm ishte edhe kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, i cili sërish pati ‘selame’ për rivalët.

“Faleminderit për mbështetjen kaq masive. Imagjinoni, tubimi i sotëm i LDK-së në Livoç të Ulët është më masovik se tubimi në palestër i PDK-së dhe koalicionit të tyre”, tha i entuziazmuar Haziri, duke thënë se do të vazhdohet me projektet e mëdha që kanë nisur, e që do të përfitoj Livoçi i Ulët.

“Prej daljes së Livoçit të Ulët e deri në qendër ka filluar rruga katër korsi e kushtueshme 2 milionë euro, ndërsa prej daljes së Livoçit e deri në Kllokot kostoja e standardizimit të rrugës është 4 milionë euro. Defakto, Livoçi do të integrohet si pjesë e qytetit. Këto projekte i kemi arritur me punë të hajrit, me duar të pastra dhe me dietë të ashpër në shpenzime. Të tillë janë kandidatët tanë për deputetë. Ata do t’i garantojnë investimet e mëdha, që përfshihet edhe Autostrada”, u shpreh Haziri.

Kandidatja për deputete Lirije Kajtazi, para të pranishmëve ka thënë se ndryshimin e madh do ta bëjmë se bashku më 11 qershor, për të shtuar se qytetarët e dinë se kush e zhvati kuletën e popullit dhe kujt duhet t’i besohet ajo kuletë.

Ndërsa, kandidati tjetër i LDK-së, Imet Rrahmani, tha se prania e madhe e qytetarëve të këtyre zonave në tubim, është konfirmim i besimit dhe i fitores së madhe të LDK-së.

Valentina Bunjaku Rexhepi pohoi se sukseset e qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja, rivalët nuk i duruan, “prandaj edhe e çuan vendin në zgjedhje pa dashjen e LDK-së”, duke shtuar se me fitoren e LDK-së do të vazhdohen punët e mëdha për Gjilanin dhe Kosovën.

Kandidati për deputet, Isa Agushi ka deklaruar se LDK është e fjalës dhe e besimit dhe nuk premton atë që nuk e realizon. Ai premtoi se do të jetë zëri i fuqishëm qytetarëve në Parlamentin e Kosovës.

Ndërsa, Labinotë Demi Murtezi e ka falënderuar banorët e këtyre lokaliteteve “për mbështetjen kaq të fuqishme”, duke lutur që më 11 qershor të sensibilizohen qytetarët në mënyrë që Avdullah Hoti të bëhet kryeministër, i cili, tha ajo, “është shembull se si udhëhiqet shteti”.