Zgjedhjet lajme

Ahmeti në Therandë: Hoti e Haradinaj, ose janë matematicienë të dobët ose gënjeshtarë të mëdhenj

Descriptive Text

Në një tubim parazgjedhor në Therandë nga Lëvizja Vetëvendosje, ku të pranishëm ishin kryetari Visar Ymeri, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe kandidatë të tjerë për deputetë, kjo parti thotë se u shpreh mbështetja e fuqishme për ta dhe prioritetet përmes të cilave do ta ndërtojnë e zhvillojnë Republikën.

Ymeri tha në këtë tubim se Albin Kurti është kandidati më i mirë për kryeministër, pasi që është dëshmuar në çdo etapë të periudhës së tij njerëzore se ai as nuk gjunjëzohet, as nuk dorëzohet, as nuk lodhet dhe as nuk i rritet mendja.

“Ai i nënshtrohet vetëm një gjëje, popullit të Kosovës dhe të mirës së përgjithshme”, tha Ymeri, teksa prezantoi disa nga prioritetet dhe bëri thirrje të votohet Vetëvendosje.

“Ne e investojmë dijen tonë, djersën tonë, përvojën tonë, në programe dhe plane. Prandaj Vetëvendosje e ka një fond sovran sepse e do një Kosovë sovrane, për të zhvilluar dhe rritur në funksion të zhvillimit ekonomik pasuritë publike”, tha po ashtu para therandasve, Ymeri.

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, rikujtoi shumë nga premtimet e dhëna nga pushtetarët e deritanishëm, duke theksuar se ata kanë gënjyer vazhdimisht. Ai foli edhe për modelin e qeverisjes në Prishtinë, kurse për dy kandidatët e tjerë që synojnë postin e Kryeministrit, tha se janë ose matematicienë të dobët ose gënjeshtarë të mëdhenj.

“Prandaj në zgjedhjen mes këtyre koalicioneve me kombinime të ndryshme që e kane qeverisë Kosovën, dhe Vetëvendosjes, besoj se zgjedhja është e lehtë. Vetëvendosje është e vetmja forcë politike që është për zhvillimin, barazinë, luftën kundër krimit dhe Bashkimin Evropian”, tha ndër të tjera, Shpend Ahmeti.

Ndërkaq, kandidatja për deputete Albana Gashi, iu bëri thirrje gjitha grave të angazhohen në Vetëvendosjes, pasi që kjo është rruga e vetme për drejtësi e barazi. Ajo tha se vetëm angazhimi politik, për të përbashkëtën e ndërton shoqërinë, e zhvillon shtetin dhe na siguron mirëqenie e jetë të mirë. Kurse, për listën e Vetëvendosjes tha se përmban emrat e grave dhe burrave më të mirë.

Kandidati tjetër për deputet nga kjo komunë, Sali Zyba, tha se Lëvizja Vetëvendosje është formuar dhe vepron për interes të vendit, për interes të popullit, për Republikën, për kombin shqiptar.

“Tash e 12 vjet përfaqësojmë vullnetin e qytetarët brenda dhe jashtë institucioneve, kemi përkrahë çdo iniciativë në të mirë të vendit”, theksoi Zyba, teksa ka kujtuar edhe privatizimet e ndërmarrjeve publike, që, sipas tij, kanë lënë pa punë mbi 76 mijë punëtorë.

Në këtë tubim foli edhe kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Therandë dhe kandidati për deputet nga kjo komunë, Leonard Shala, i cili tha se Theranda e ka bërë me dije se nuk dorëzohet përballë klanit “Pronto”. E po ashtu përmendi heroizmin e guximin e njerëzve të kësaj komune.

Fare në fund, u prezantuan kandidatët për deputetë të zonës, me ç'rast u bë thirrje të votohet numri 35, e më pas të votohet cilido nga ta “sepse kjo është lista që përbashkon njerëzit me vullnet, të ditur e të guximshëm”.