Zgjedhjet lajme

Haradinaj në Istog: Punën me Ibrahim Rugovën e kam bërë me nderin më të madh

Pretendenti për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka qëndruar në Istog gjatë ditës së sotme për të vazhduar fushatën parazgjedhore, ku ka thënë se Istogu gjithmonë ka pasur njerëz të zot, të pushkës dhe të pendës.

Ai më tej është shprehur se punën me presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, kur ishte emëruar kryeministër në koalicionin mes LDK-së dhe AAK-së, pas zgjedhjeve të vitit 2004, e ka bërë me nderin më të madh.

“E kam bërë me nderin më të madh punën me Presidentin Rugova. Me nderin më të madh do t’i shërbej atdheut edhe me besimin e dhënë nga partnerët e koalicionit”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

“Zotohem se do t’i përshpejtojmë projektet infrastrukturore, tashmë të stërzgjatura dhe të vonuara në këto treva dhe ta lidhim Istogun deri në Prizren. Bujqit e kësaj treve do ta kenë partner të sigurt e mbështetës për bereqetin e tyre, Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se me 11 qershor, qytetarët e Istogut duhet të vendosin “për të nisur rrugëtimin drejt së ardhmes bashkë”.