Zgjedhjet lajme

Bahtiri: Në Mitrovicë po vjen aroma e fitores

Në palestrën e sporteve në Mitrovicë, u mbajt tubimi parazgjedhor i koalicionit LDK-AKR- Alternativa, me ç’rast u prezantuan kandidatët për deputetë nga ky qytet.

Zëvendëspresidenti i AKR-së dhe njëherësh kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Agim Bahtiri, tha se në Mitrovicë po vjen aromë fitoreje.

“Aroma e fitores po vjen në Mitrovicë, ku ky mesazh i Mitrovicës do të përhapet në gjithë Kosovën. Fitorja e përbashkët AKR-LDK në Mitrovicë ka triumfuar në vitin 2013 dhe do të triumfojë edhe tash. Ne jemi bërë bashkë që ta ndryshojmë gjendjen aktuale në Kosovë, e cila me të vërtetë nuk i ka hije Kosovës”, ka thënë Bahtiri, i cili në këto zgjedhje garon me numër 50 në kuadër të listës LDK-AKR.

I pari i Mitrovicës ka thënë që sot o kurrë duhet të luftohet e keqja, të cilën qytetarët e Kosovës e kanë përjetuar nga qeverisja e PDK-së.

“Shpresa ka ardhur tani, fillimi i ardhmërisë së Kosovës ka ardhur tani, ky është një koalicion i paqes, i dijes dhe njerëzve të biznesit, por është edhe një koalicion që jep shpresë për të gjitha ata që mendojnë për të mirën e Kosovës. Duke votuar koalicionin AKR-LDK qytetarët do ta nxjerrin faqebardhë Kosovën para SHBA-së dhe BE-së, duke e mposhtur kështu korrupsionin, kapjen e shtetit dhe kështu do t’i kthehet dinjiteti popullit”, ka theksuar Bahtiri, fjalimi i të cilit është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve.

Bahtiri ka thënë se atyre që keq-qeverisën në vitin 2013, iu është dhënë ajo që kanë merituar, e që është humbja në Mitrovicë.

“Këtu në Mitrovicë i kemi mposhtur njerëzit e korruptuar, njerëzit e kontrabandës dhe militantët e tyre, të cilën e patën pushtuar qendrën e Mitrovicës, ku me kallashnikov u gjuanin nëpër qytet bandat kriminale. Sot i keni pëllumbat në Mitrovicë, të cilët janë simbol i paqes”, ka thënë Bahtiri.