Zgjedhjet lajme

Topalli: Vetëvendosje e do pushtetin për t’i shërbyer popullit

Lëvizja VETËVENDOSJE ka mbajtur sot tubim elektoral në Ferizaj.

Qytetarëve të kësaj komune i është drejtuar ish-deputeti dhe kandidati për deputet, Faton Topalli.

Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të aktivistëve të Lëvizjes, emigrantëve, dhe familjeve të dëshmorëve. Ai tha po ashtu se VETËVENDOSJE do ta rimëkëmbë ekonominë e Kosovës.

“Këta e shkatërruan ekonominë, ne do ta zhvillojmë“, tha Topalli para ferizajasve.

Ai tha po ashtu se VETËVENDOSJE e do pushtetin për t'i shërbyer popullit, e jo për interesa të ngushta klanore.

“Këta i kthyen qytetarët në shërbëtore, ne do të bëheni shërbëtorët tuaj”, tha Topalli.

Gjatë tubimit në Ferizaj, kandidati për deputet, Glauk Konjufca, ka filluar fjalën e tij me një rrëfim për vitin 1999, pas përfundimit të luftës.

“Si sot më kujtohet vera e 99 këtu në Ferizaj, Kosova e çliruar nga okupimi serb, qindra të larguar po ktheheshin në qytet. E kishin besimin, entuziazmin, optimizmin, shpresën, përkushtimin dhe krenarinë. Po sot pas 18 vjetëve?! Matrapazët e pas luftës ia kanë vra këtij populli shpresën dhe të ardhmen", tha Konjufca.

Megjithatë ai tha se sheh një dritë në fund të tunelit, e ajo është VETËVENDOSJE.

"VETËVENDOSJE do t’ia kthejë popullit shpresën dhe të ardhmen. Do t’ia kthejë Kosovës drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik”, premtoi Konjufca në Ferizaj.

Konjufca po ashtu shtoi se garancia e fitores së VV-së janë aktivistët që angazhohen pa u lodhur.