Zgjedhjet lajme

LDK-ja akuzon KKZ-në në Pejë për manipulime tendencioze në dëm të kësaj partie

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Pejë, thotë se është shumë e shqetësuar me ato që i ka cilësuar “manipulime tendecioze dhe të qëllimshme të KKZ-së në Pejë me komisionerë të zgjedhjeve”.

“KKZ në Pejë e menaxhuar nga z. Abdurrahim Haxhisefa me qëllim të dëmtimit të LDK-së dhe të favorizimit të kundërshtarëve të saj ka bërë ndryshime në listën e komisionerëve të LDK-së të cilën e ka prezantuar LDK, dega në Pejë, duke ju ndryshuar qendrat dhe vendvotimet si dhe duke ju ndryshuar detyrat në vendvotime. Në këtë mënyrë KKZ po krijon qëllimisht konfuzion dhe huti dhe po krijojnë hapësirë dhe mundësi për të manipuluar procesin zgjedhor”, thuhet në reagimin e LDK-së së Pejës.

“Ne kërkojmë që KQZ të marrë masa ndaj këtyre veprimeve të KKZ-së në Pejë si dhe kërkojmë që prokuroria të marrë masa hetimore ndaj KKZ-së në Pejë dhe të ndalojë këto veprime të paligjshme”, thuhet më tej në reagimin e kësaj partie.