Zgjedhjet lajme

Nominimin e Haradinajt për kryeministër Brahimaj e quan lajm të gëzueshëm për Kosovën

Kandidati për deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj në një intervistë për KosovaPress thotë se nominimi i Ramush Haradinaj për kryeministër, ishte lajm i gëzueshëm, jo vetëm për të, por për gjithë Kosovën.

Brahimaj beson në fitoren e koalicionin PDK-AAK-Nisma, i cili sipas tij është pritur mirë dhe nga qytetarët. Ndërsa beson që Haradinaj në këto zgjedhje, do të fitojë bindshëm.

“Ka qenë lajm i gëzueshëm, jo vetëm për mua, por për të gjithë Kosovën. Njerëzit e kanë pritur shumë mirë koalicionin e gjerë dhe ne besojmë në fitoren e koalicionit PDK-AAK dhe Nisma. Jo që janë të kënaqur por dhe po ndihen krenarë. Sepse ata njerëz që kanë ditur me marrë vendime në rrethanat më të vështira, sigurisht që edhe tani do të dinë me marrë vendimet e duhura. Ramushi njihet edhe si njeri jo i kompromiseve, kur janë temat nacionale. Bashkëluftëtarët e kanë besimin. Qytetarët e kanë besimin në të, dhe sigurisht me datën 11 qershor do ta japin versionin e vet dhe Ramush Haradinaj, do të fitojë bindshëm”, tha ai.

E besimin për fitore, Brahimaj thotë se e bazon në takimet që kanë çdo ditë në terren me qytetarët, e jo nga thashethemet.

Brahimaj ndër të tjera thotë se me fillimin e mandatit të Haradinajt, Demarkacioni dhe ‘Zajednica’, do të trajtohen ashtu siç kanë thënë në mandatin e kaluar.

“Me fillimin e mandatit të Haradinaj, Demarkacioni dhe Zajednica do të trajtohen ashtu sikur kemi thënë në mandatin e kaluar edhe tani. Zajednica nuk do të kalojë ashtu siç është, por në përputhje me kushtetutën që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por edhe demarkacioni do të bëhet ashtu siç kemi thënë herën e kaluarën”, tha ai.

Brahimaj i cili është kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, beson se do të ketë një ulëse në parlamentin e ardhshëm.