Zgjedhjet lajme

Pacolli: Koalicioni i shpresës do ta ndajë gjyqësinë nga politika - do ta themelojë Berzën

Descriptive Text

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka folur sot para investitorëve dhe biznesmenëve në një konferencë të organizuar nga koalicioni ku partia e tij bën pjesë

për planin ekonomik dhe zhvillimor për mandatin katërvjeçar. Sipas njoftimit nga partia e tij, i pari i AKR-së ka treguar për shtyllat kryesore të planprogramit qeverisës të koalicionit dhe për platformën e ekonomike si dhe mënyrën e implementimit të saj.

“Zhvillimi ekonomik me rritje 8%, krijimi i vendeve të punës deri në 70 mijë vetë. Gjithashtu ne do ta themelojmë agjencinë e pavarur të participimeve që të mos e shesim pronën tonë, do të ftojmë investitorët që të fillojnë aktivitetet e tyre në fabrikat që nuk janë në funksion”, ka thënë presidenti i AKR-së dhe ka shtuar se qysh në fillim të qeverisjes do të jetësohen tri zonat e lira ekonomike, pra në Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren dhe ka shtuar se gjatë mandatit qeverisës do të themelohet edhe Berza e Kosovës.

I pari i AKR-së më tutje ka treguar edhe për planin e krijimit të tregut të përbashkët gjithëshqiptar, i cili sipas tij është shumë i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve më të mëdhenj.

Pacolli gjatë fjalës së tij ka përmendur edhe Trepçën për të cilën ka thënë se gjithmonë do të jetë pronë e Kosovës.

“Trepça do te trajtohet sipas metodologjisë së PPP-ve gjithmonë duke involvuar kompani globale por vetëm në menaxhim jo në pronësi, Trepça do te jetë gjithmonë pronë e Kosovës”, ka theksuar presidenti i AKR-së.

Ai ka akuzuar institucionet për shkatërrim të maleve nga gurthyesit, si dhe shkatërrimin e lumenjve , të cilët sipas tij janë kthyer nëpër humnera të eksploatuesve të egër.

Pacolli ka shtuar gjatë fjalimit të tij se qeveria e koalicionit të shpresës, do ta ndajë gjyqësinë nga politika.

“Kjo duhet të bëhet njëherë e përgjithmonë. Gjyqësia duhet të jetë e pavarur e të mos mbesin lëndët pa u zgjidhur me vite. Me këtë do të kemi probleme me imazhin tonë në Kosovë”, ka theksuar ai.

Presidenti i AKR-së është zotuar se me eksperiencën që e posedon, e ka mundësinë që ta bëjë Kosovën një vend të dashur për qytetarët, ku mirëqenia e tyre do të ishte prioritet.