Zgjedhjet lajme

Lista Serbe thotë se vetëm ajo e ka përkrahjen e Beogradit

Descriptive Text

Lista Serbe ka mbajtur tubim parazgjedhor në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë, duke hapur kështu zyrtarisht fushatën në Kosovën qendrore, siç thuhet në raportin e KiM Radio, transmeton Koha.net.

Raporti thekson se ishin të pranishëm disa qindra ithtarë të kësaj partie, të cilët kanë mbështetur kandidatët e saj për deputetë. Bëhet e ditur se tubimi kishte filluar me antonimin e Himnit të Republikës së Serbisë.

Kandidati i Listës Serbe (Srpske liste) për deputet, Branimir Stojanoviq ka përsëritur pohimin se vetëm Lista Serbe mund të pengojë formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Nesër ndoshta do të ndodhë që fëmijës tuaj, kushëririt, fqinjit dikush t’ia vesh uniformën e Ushtrisë së Kosovës që sikur duan ta formojnë, t’ia lënë në dorë pushkën dhe pastaj me pushkën tjetër ta detyrojnë të shkojë në veri të Kosovës ose diku tjetër. Detyrë jona është të themi jo, meqë gjatë tri vjetëve të shkuara nuk e kanë formuar ushtrinë fal nesh, e as që do ta formojnë”, ka thënë Stojanoviq, transmeton Koha.net.

Kandidati për deputet, Srgjan Popoviq është shprehur se vetëm Lista Serbe mund të mbrojë interesat e popullit serb në Kosovë.

“Vetëm ne kemi mbështetjen e Beogradit dhe bashkë me Aleksandar Vuçiqin mund të luftojmë për të drejtat e plota të popullit tonë në Kosovë”, ka thënë Popoviq.

Të tubuarve u është drejtuar edhe kryetari i Graçanicës, Vlladeta Kostiqw, i cili ka thënë se kundërkandidatët e tyre janë të vetëdijshëm se Lista Serbe është e vetmja garanci për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Lista Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 qershorit ka paraqitur 20 kandidatë.