Zgjedhjet lajme

Si po e vë veriu sërish në sprovë integritetin e Kosovës

Zgjedhjet e 11 qershorit do të sfidojnë edhe njëherë integritetin territorial të Kosovës.

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk është i gatshëm të marrë përsipër i vetëm organizimin e zgjedhjeve në gjithë territorin, prandaj edhe këtë herë kanë kërkuar përkrahje teknike nga OSBE-ja, me arsyetimin se në veri siguria vazhdon të jetë e brishtë.

Ish-kryeshefi i KQZ-së, Mazllum Bajraliu, thotë se është për të ardhur keq se si edhe kaq vjet Kosova si shtet nuk arrin të organizojë zgjedhjet vetë në gjithë territorin e saj. Ndërsa, ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Blerim Burjani, shpreson që në veri të vendit, më 11 qershor, të ketë proces të rregullt zgjedhor, megjithëse ka dilema se këto procese bëhen sa për sy e faqe për të plotësuar një standard multietnik. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 2014-ës, në veri, dalja e qytetarëve ishte më shumë seç pritej, derisa procesi kishte kaluar qetë e pa incidente, ndryshe nga një vit më herët kur zgjedhjet lokale të 2013-ës kishin kaluar me tensione e dhunë nëpër qendra të votimit.