Zgjedhjet 2019

Baraliu pret që Supremja të vendosë sërish për rinumërimin e votave të diasporës

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka thënë se nga ana formale, ardhja e votave nga diaspora një ditë para zgjedhjeve është në rregull.

Ai ka thënë se Supremja kur e ka marrë vendimin për numërimin e votave nga diaspora i ka pasur parasysh të gjitha rrethanat.

“Prandaj, nuk shoh arsye që të vendos ndryshe prej vendimit të kaluar, edhe në ankesën e radhës nga Lëvizje Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Ai tutje në Interaktiv të KTV –së ka thënë se ky kontingjent i votave është bërë objekt i Gjykatës Supreme.

“PZAP edhe KQZ janë organe administrative dhe kategori kushtetuese. Gjykata Supreme është instanca e fundit. Nga ana formale edhe PZAP-ja edhe KQZ-ja kanë pasur të drejtë që votat që vijnë me postë nga diaspora duhet të vijnë një ditë para zgjedhjeve. Këto vota të diasporës janë bërë tashmë objekt i Gjykatës Supreme”, ka thënë ai.

Baraliu tutje ka vlerësuar votimin me dokumentet e Kosovës, duke shtuar se një vendim i tillë ishte i mirë.

“Ka pasur arsye praktike racionale dhe praktike edhe KQZ. Gjykata Supreme ka vendosur që nuk duhet të lejohet të votohet me gjithfarë lloj dokumentesh, dhe kanë bërë mirë”, ka thënë ai.