Zgjedhjet 2019

Paçarizi: LDK sakrifikoi me kandidaturën e Osmanit

Image

Sipas opinionistit Rrahman Paçarizi, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte sakrifikuar shumë kur doli me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, për zgjedhjet e 6 tetorit.

Në Rubikon, në debatin për procesin zgjedhor, Paçarizi ka thënë se para analizave të thella për rezultatet e zgjedhjeve, LDK-ja e ka hall të sqarojë se si doli e dyta, edhe pse në sondazhe ishte e para.

Sipas tij, tentimet për arritjen e koalicionit parazgjedhor mes VV-së e LDK-së, që në zgjedhjet e 6 tetorit dolën të parat me VV-në që prin me më pak se një për qind para LDK-së, ishin të pasinqerta.

“Të dy partitë e pretenduan pozitën e kryeministrit. LDK-ja bëri një hap përpara për ta pamundësuar koalicionin parazgjedhor duke nominuar Vjosa Osmanin për kryeministre e Albin Kurti i ishte kundërpërgjigjur me një ftesë jo krejt të sinqertë që Osmani t’i prijë listës. Ishte e pasinqertë sepse erdhi kur LDK-ja s’mund ta shkarkonte Osmanin nga nominimi dhe t’i përgjigjej VV-së. LDK-ja bëri hap për ta pamundësuar koalicionin e VV-ja iu përgjigj me ftesë popullore që duket se bëri punë e tash kemi situatën kur VV-ja është përpara me vota e LDK-ja ka nevojë edhe për pak kohë të sqarojë çështjet me vetveten se përse s’i fitoi zgjedhjet. LDK-së i duhet kohë për të sqaruar me vetveten se ku është fajtori që s’ka fituar, sepse të gjitha sondazhet e kanë nxjerrë me 3-5 për qind para VV-së”, ka thënë ai.

“LDK duhet të sqarojë një gjë që është shumë e thjeshtë në esencë. Janë bërë shumë sakrifica në LDK për ta siguruar këtë unitet i cili u përfaqësua përmes Vjosa Osmanit dhe me krejt ato sakrifica doli parti e dytë jo e parë. Këtë e ka hall ta sqarojë e pastaj duhet të dalë në analiza më të thella, që sigurisht duhet t’i bëjë secila parti”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, do të ishte e pasinqertë edhe nëse tash partitë ndërrojnë mendje se cili kandidat ka më shumë vota të jetë kryeministër, e jo siç ishin deklaruar më herët se cila parti fiton ajo do ta udhëheqë qeverinë.