Zgjedhjet 2019

Ahmeti kërkon formim të shpejtë të qeverisë mes LVV-së e LDK-së

Foto: Driton Paçarada / KD

Kryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar rezultatin preliminar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai thotë se votuesit dërguan porosi të qartë se kush duhet të jetë në pozitë e kush në opozitë.

Ahmeti shpreson në certifikimin sa më të shpejtë të rezultateve dhe formimin e institucioneve për shkak të, siç thotë ai, “përgjegjësive që presin bartësit e ri të institucioneve”.

“Çfarëdo zhagitje në certifikim është vetëm shenjë e humbësve të dobët. Çfarëdo hezitimi në koalicion nga dy partitë është në kundërshtim me deklaratat e dhëna para zgjedhjeve”, u shpreh Ahmeti.

Kreu i PSD-së, parti e cila ka qenë në koalicion me AAK-në në këto zgjedhje, ka uruar sërish fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa tha se pa marr parasysh dallimeve, “urojmë punë të mbarë në realizimin e zotimeve që i kanë dhënë, posaçërisht me ato që pajtohemi”.

Për PSD-në, Ahmeti tha se ky ishte një rezultat jo i kënaqshëm, por edhe porosi nga votuesit për vendimet e marra.

“Ne edhe sot besojmë se kanë qenë vendime të drejta në interes të shtetit të cilat qytetari qartazi nuk i ka përkrah në nivelin e duhur. Ne vazhdojmë të besojmë në barazi, mirëqenie e solidaritet. Do ta përkrahim qeverinë e re në pika të interesit nacional dhe ku pajtohemi, si psh dialogu me Serbinë ku nuk ka ndryshim të kufijve e nivel të tretë të qeverisjes e deri te insistimi në rritjen e pagës minimale. Por edhe do ta kundërshtojmë e monitorojmë për vendimet që nuk pajtohemi”, theksoi kreu i Prishtinës.

Ai tha po ashtu se do ta fillojmë një rindërtim të relacionit me qytetarin “për të vazhduar luftën për socialdemokraci e mirëqenie në Kosovë”.