Zgjedhjet 2019

Analistët: Koalicioni mes VV-së e LDK-së mund të marrë kohë

Rreth pesë mijë vota është diferenca mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Edhe pas shpalljes së fitores, LVV-ja ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me LDK-në, ndonëse një gjë e tillë, me gjithë përpjekjet, nuk ishte konkretizuar me një koalicion parazgjedhor, raporton KTV.

Koalicioni ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, nga njohësit e zhvillimeve në vend, është duke u parë si e vetmja zgjidhje për formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, një gjë e tillë, sipas tyre, nuk mund të pritet shumë shpejt.

Por, duke e parë rolin e LDK-së në formimin e ekzekutivit, Donika Emini thotë se një koalicion ndërmjet këtyre dy partive mund edhe të mos ndodhë.

Sipas Rrahman Paçarizit, vonesat në formimin e qeverisë së re, mund të rrezikojnë komplikimin e situatës.

Procesi zgjedhor i 6 tetorit është zhvilluar pa ndonjë incident, derisa sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtën e tyre për të votuar e shfrytëzuan më shumë se 43 për qind e qytetarëve.