Zgjedhjet 2019

Pula thotë se janë zvogëluar rastet e keqpërdorimeve në procesin zgjedhor

Koordinatorja nacionale e Prokurorisë për zgjedhjet, Laura Pula, ka thënë se gjatë ditës së djeshme kur edhe janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, institucioni i Prokurorit të Shtetit ka pasur misionin mbrojtjen e votës së qytetarit.

Pula ka thënë se Kodi Penal parasheh 11 shkelje në procesin e votimit. Ajo tutje ka shtuar se kanë regjistruar 8 raste ndaj 9 personave gjatë fushatës zgjedhore.

Pula në emisionin “Express Intervista” ka thënë se në ditën e heshtjes zgjedhore nuk kanë pasur asnjë rast, duke shtuar se në përgjithësi janë ulur rastet e keqpërdorimeve në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë tërë procesit zgjedhor.

“Rastet të cilat janë hetuar gjatë fushatës kanë qenë në Gjilan dhe në Pejë. Ne kemi parë edhe këto raste të tentimit të blerjes së votave, ne i kemi trajtuar këto raste. Kemi platformën “merr jep” ku disa persona kanë postuar fotografi, ne i kemi marrë në pyetje”, ka thënë ajo.

Duke folur për të ndaluarit gjatë ditës së zgjedhjeve, ajo ka thënë se prokurorët kanë qenë të pranishëm bashkë më hetues policorë në të gjitha rajonet. Sipas saj, gjatë ditës së djeshme ka pasur 22 raste me 26 persona të ndaluar, ku pesë prej tyre ishin komisioner.

“Prizreni ka pasur 5 raste me pesë persona të ndaluar 48 orë. Kemi hasë raste të fotografimit të votës që nuk hyn në veprat penale. Të gjithë personat të cilët janë hasur duke fotografuar votën, janë ndaluar. Ne jemi në hetim të këtyre personave dhe ne do i pyesim këta persona për të marrë vesh se cili ka qenë burimi i fotografimit të votës. 10 raste të fotografimit të votës janë në Gjakovë. Nëse dalin se ata kanë qenë të detyruar apo të varur ekonomikisht, do të dënohen të dy palët, edhe ata që fotografojnë edhe ata që e kanë shtyrë ta fotografojnë”, ka thënë tutje ajo.

Pula thotë se për videon në Pozharan ku dyshohet se një person po jepte para për vota, është ndaluar një person dhe një tjetër është në kërkim.

Sipas saj, të gjitha raportimet e medieve e qytetarëve janë trajtuar nga Prokuroria, duke shtuar se cak i arrestimeve kanë qenë edhe komisionerët, pasi thotë se kanë qenë të informuar për rregullat.

“Deri në orën 00:00 kemi përcjellë të gjitha mediat, por kemi pas edhe telefonata të cilat i kemi marrë parasysh. Institucioni i Prokurorit të Shtetit është aktivizuar në vitin 2010 në zgjedhje. 1500 persona në vitin 2013 janë akuzuar. Ka një numër mjaft i konsiderueshëm që janë dënuar. Nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2010 dhe vitin 2019 kemi numër shumë më të vogël të të dënuarve”, ka thënë ajo.

Duke folur për ruajtjen e votave të diasporës, ajo ka thënë se mund të ndërhyjnë nëse ka vepra penale, duke shtuar se do të jenë aty deri në përfundimin e numërimit të votave.

Pula thotë se suksesi i djeshëm është punë e përbashkët e të gjitha institucioneve.