Zgjedhjet 2019

Në komunën e Vitisë një person arrestohet nën dyshimin për ushtrim ndikimi tek votuesit

Një person është arrestuar në komunën e Vitisë nën dyshimin se ka ushtruar ndikimin e tij tek votuesit me qëllim që në këto zgjedhje parlamentare të votohet një subjekt i caktuar politik. Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Gjilan.

“Është ndaluar një person në komunën e Vitisë dhe dyshohet se ka ushtruar ndikim tek një votues për cilën parti dhe për cilin kandidat duhet me votu”, ka thënë prokurorja Rozalinda Manastiri.

Gazeta Koha Ditore ka kontaktuar edhe me prokurorët e tjerë të cilët i kanë deklaruar gazetës se deri tani nuk janë shënuar incidente tjera në komunat e Anamoravës.

Ndryshe në komunën e Gjilanit deri në ora 15:00 sipas Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë votuar 30 mijë e 755 qytetar. Numri i votuesve të regjistruar në këtë komunë është 103 mijë e 53. Në komunën e Vitisë deri në ora 15:00 sipas KQZ-ë kanë votuar 12 mijë e 856 qytetar gjersa numri i votuesve të regjistruar në këtë komunë është 50 mijë e 21 votues. Në komunën e Kamenicës deri tani kanë votuar 11 mijë e 292 qytetar kurse numri i votuesve të regjistruar në këtë komunë është 37 mijë e 428. Në komunën e Novobërdës me 9 mijë e 754 votues të regjistruar deri në ora 15:00 sipas KQZ-së kanë votuar 3 mijë e 886 votues. Në komunat me numrin më të vogël të popullsisë vërehet një tendencë e daljes më të madhe të votuesve në këto zgjedhje parlamentare.

Sipas KQZ-së në komunën e Ranillugut me 5 mijë e 648 votues të regjistruar deri në ora 15:00 kanë votuar 2 mijë e 19 qytetar. Kurse në komunën e Parteshit me 4 mijë e 819 votues të regjistruar deri tani kanë votuar 1 mijë e 535 votues. Në komunën e Kllokotit me 3 mijë e 849 votues të regjistruar deri në ora 15:00 kanë votuar 1 mijë e 296 qytetar.