Zgjedhjet 2019

Partitë në Kosovë premtojnë një qeveri më të vogël

Foto: Koha

Numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave në qeverinë aktuale të Kosovës ka bërë që një nga premtimet më të shpeshta të subjekteve politike në garë për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, të jetë edhe zvogëlimi i numrit të ministrive.

Qeveria në largim e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është një prej qeverive më të mëdha në Evropë, pasi përbëhet nga gjithsej 21 ministra, pesë zëvendëskryeministra si dhe rreth 80 zëvendësministra.

Një qeveri kaq të madhe nuk e parasheh më asnjë prej subjekteve politike, përshirë edhe partitë që janë në koalicionin qeverisës.

Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se numri maksimal i ministrive në Qeverinë e Kosovës duhet të jetë 14, eventualisht 15 ministri. Edhe koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate është zotuar se qeveria e ardhshme, nuk duhet të ketë më shumë se 15 ministri. Jo më shumë se 15 ministri i ka paraparë në programin e saj edhe koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se do të insistojë që Qeveria e Kosovës të mos ketë më shumë se 12 ministri. Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në programin qeverisës, ka planifikuar që qeveria të përbëhet nga 12 ministri.

Shkrimi i plotë në Radio Evropa e Lirë