Zgjedhjet 2019

Sipas Haradinajt, në rrafshin ndërkombëtar shihen dy Kosova

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se është punuar shumë që në rrafshin ndërkombëtar të mbizotërojë opinioni për dy Kosova.

Siç ka thënë Haradinaj, në BE dhe Washington, shihet Kosova e Haradinajt, e cila identifikohet si bllokuese dhe tjetra, ajo e partive tjera politike e cila paraqitet si më e hapur dhe pragmatike.

Me këtë Haradinaj thotë se partitë tjera janë më të hapura e më racionale në qasjen e tyre ndaj procesit të dialogut, përfshirë këtu edhe taksën.

“Në BE dhe Washington i shohin dy Kosova. Një Kosovë që e përfaqësoj unë dhe koncepti 100 për qind shtet, e të cilin Serbia e proklamon si një Kosovë të veprimeve të njëanshme, një Kosovë që nuk është e interesuar për dialog, për paqe, por vetëm me marrë vendime vetë dhe thirren në vendimin e ushtrisë, taksës, Trepçës dhe pastaj lënë hapur që të gjitha forcat tjera politike, PDK, LDK, VV janë të hapur për qasje ndryshe, më pragmatike, më racionale, më të hapur. Aktualisht është punuar gjatë që të krijohet bindje që pengesa për paqe është Haradinaj dhe koalicioni i tij AAK-PSD dhe shpresa për paqe është Kosova tjetër: pra janë dy, një që bllokon, ajo e Haradinajt dhe koncepti i tij, dhe një e hapur, realiste, pragmatiste”, ka thënë ai.