Zgjedhjet 2019

Haradinaj në Gjakovë: Kujdesi për rininë është garancë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt

I nominuari për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar Gjakovën, ku ka bashkëbiseduar me të rinjtë e kësaj komune. Haradinaj ka thënë rinia e Gjakovës e ka përkrahur vizionin e tij, të shpalosur para tyre.

“Rinia e Gjakovës 100% në përkrahje të vizionit tonë për shtetin. Kujdesi për rininë është garancë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe me rritje ekonomike. Frymëzues bashkëbisedimi i sotëm me rininë e mrekullueshme të Gjakovës”, ka shkuar Haradinaj në Facebook, ku ka publikuar edhe një video nga bashkëbisedimi.

Haradinaj ka theksuar se rinia e Kosovës është forcë transformuese e shoqërisë.

“Rinia jonë është forcë transformuese e shoqërisë dhe përket në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Epoka e ndërlidhjes digjitalizuese dhe teknologjisë së avancuar informative, kërkon edukim konform trendëve bashkëkohore dhe përshtatje të programeve studimore ekonomisë së vendit”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar se në vizionin e koalicionit AAK-PSD është përfshirë edhe mësimi dual, fondi për punësim, si dhe masa të tjera që lehtësojnë jetën e tyre.

“Në vizionin tonë 100% Kosovë, e kemi përfshi mësimin dual, fondin për punësim, kompensimin e 50% të pagës për çdo punësim fillestar në prodhim dhe një varg masash reformuese që garantojnë punë dhe perspektivë për rininë, për ta ndërtuar jetën dhe karrierën në vend”, ka shkruar Haradinaj.