Zgjedhjet 2019

Osmani në Reçak: Liria e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e viktimave të luftës

Descriptive Text

Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, ka thënë të premten në Kompleksin përkujtimor në Reçak se liria e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e viktimave që humbën jetën gjatë masakrës së 20 viteve më parë në këtë fshat.

Kështu bën me dije komunikata për media, e lëshuar nga LDK-ja.

“Nëse sot ne e kemi lirinë, e kemi pikërisht për shkak të këtyre viktimave civile, pikërisht për shkak të sakrificës së këtyre familjeve të cilët humbën më të dashurit e tyre në mënyrë që ne sot ta gëzojmë këtë ditë. Unë isha duke biseduar me disa prej familjeve dhe sot po e shihni që edhe shteti nuk i ka nderuar këto viktima sa duhet, duke e lënë projektin e këtij vendi përkujtimor në gjysmë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se për fat të keq “Serbia që ka kryer këto krime të tmerrshme dhe të llahtarshme si në Reçak vazhdon të sillet si një fëmijë i lazdruar i Evropës duke mos kërkuar falje për krimet e bëra e madje edhe duke i mohuar ato”.

“Duhet ta themi kudo që Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal dhe duhet të flasim çdo ditë për viktimat civile për njerëzit tanë që i humbëm. Në masakrën e Reçakut kanë qenë të masakruar edhe fëmijë dhe Serbia akoma edhe sot tenton ta fshehë atë dhe nuk e pranon si krim duke e quajtur krim të imagjinuar. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që kjo sakrificë e qytetarëve tanë të harrohet, që kjo sakrificë e popullit të Kosovës të shkelet”, ka thënë Osmani, përcjell kumtesa nga LDK-ja.